E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli dështon gjyqin e Gërdecit

 

Armand Bajrami

Bllokimi i tunelit të Kalimashit në rrugën “Durrës-Kukës” “dështon” gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Lartë në procesin Gërdeci. Togat e zeza të kësaj gjykate vendosën dje shtyrjen e seancës gjyqësore në ngarkim të ish ministrit Mediu, të akuzuar për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me shpërthimin e 14 marsit 2008 në Gërdec. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurit. Mbrojtësit e tij ligjorë justifikonin ligjërisht mungesën e tyre me një shkresë zyrtare, sipas së cilës, ndodheshin në qytetin e Kukësit dhe për shkak të ndalimit të qarkullimit në tunelin e Kalimashit, pjesë e Durrës-Kukës, e kishin të pamundur ardhjen në seancë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shtyu seancën dhe vendosi që seanca e radhës, në ngarkim të personit të vetëm që po gjykohet në Gjykatën e Lartë si përgjegjës i tragjedisë së Gërdecit, të zhvillohet më 14 shtator.
Shtyhet seanca
Seanca e djeshme, e dyta në radhë në Gjykatën e Lartë që kur dosja e Fatmir Mediut u veçua nga të pandehurit e tjerë, pati të njëjtin “fat” me seancën e parë të datës 15 qershor. Seanca nuk arriti të zhvillohej për shkak të mungesës së avokatëve. Ndërsa dukej mungesa e ish-ministrit Mediu, të pranishëm në sallën e gjyqit nuk ishin as mbrojtësit e tij ligjorë. Një asistent i avokatit Ardian Visha paraqiti përpara gjykatës një faks të ardhur nga avokati i të pandehurit Mediu. Në faksin e dërguar nga avokatët mbrojtës të Mediut, Ardian Visha dhe Petrit Serjani, thuhej se “për arsye objektive e kemi të pamundur pjesëmarrjen në seancë”. Në vijim të deklaratës detajohej se avokatët gjendeshin në qytetin e Kukësit dhe se për shkak të bllokimit të tunelit të Kalimashin e kishin të pamundur ardhjen në kohë në Gjykatën e Lartë. “Gjendemi në Kukës. Ishte parashikuar të vinim sot (dje) por për shkak të bllokimit të tunelit të Kalimashit, e kemi të pamundur ardhjen në kohë në Gjykatën e Lartë”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë që deklarata e paraqitur nga ana e avokatëve nuk kaloi pa reagime nga ana e përfaqësuesve të akuzës. Duke iu referuar njoftimit të bërë nga Ministria e Transporteve 24 orë më parë, një nga prokurorët pohoi se tuneli mbyllej një orë pas fillimit të seancës në Gjykatën e Lartë. “Tuneli mbyllet në orën 11:00, ndërsa tani është ora 10:20. Do të kërkoja që avokatët të ishin më seriozë përpara gjykatës”, tha prokurori. E gjendur në kushtet kur avokatët mbrojtës të të pandehurit dhe vetë i pandehuri nuk ishin në sallë, Kolegji Penal vendosi shtyrjen e seancës dhe caktoi zhvillimin e seancës së ardhshme në datën 14 shtator. Anëtar i togave të zeza ditën e djeshme ishte edhe gjyqtari Ardian Nuni. Gjyqtari Nuni u zgjodh si anëtar i kësaj trupe pas largimit të gjyqtares Irma Bala për arsye shëndetësore. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Besnik Ymeraj pohoi dje se kërkesa e palëve nëse shfaq apo jo “konflikt interesi”, prania e gjyqtarit Nuni në trupë do të bëhet në seancë e ardhshme, kur prezentë të jenë të gjitha palët. Fatmir Mediu është i vetmi i pandehur i dosjes “Gërdeci” që gjykohet në gjykatën e Lartë. Veçimi i dosjes në ngarkim të tij nga të pandehurit e tjerë u bë në seancën e 22 majit në Gjykatën e Lartë, ku Kolegji Penal cilësoi si kompetencë të tij vetëm gjykimin e ish ministrit Mediu.

Gjykata e Lartë:Pse u shty gjyqi i Gërdecit

TIRANE - Me një njoftim zyrtar, shpërndarë mediave, Gjykata e Lartë sqaroi dje arsyet e shtyrjes së seancës gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit Fatmir Mediu. “Sot (dje) më datë 06.07.2009 ishte caktuar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë çështja penale ne ngarkim të z. Fatmir Mediu, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenet 248 të Kodit Penal dhe nenet 2 dhe 70 të Kodit Penal Ushtarak. Në këtë seancë, avokatët mbrojtës Z. Ardian Visha dhe Z. Petrit Serjani paraqiten kërkesë me shkrim për shtyrjen e gjykimit për pamundësi objektive të pjesëmarrjes së tyre”, thuhej në njoftim. Sipas njoftimit për shtyp, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme pasi u njohën me kërkesën e mësipërme, pranuan që seanca të shtyhej, ndërsa gjykata, bazuar neneve përkatëse në Kodin e Procedurës Penale, shtyu seancën për në datë 14 shtator 2009. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›