E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Evropian bën thirrje për zhvendosjen e dialogut vetëm në sallën e Parlamentit

Kryeministri Sali Berisha takon Zëvendëspresidentin e KE Antonio Tajani, i cili i ka bërë thirrje opozitës së Edi Ramës që t’i rikthehet parlamentit, pasi vetëm aty mund të zhvillohej debati politik

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Zëvendëspresidentin e KE-së, Antonio Tajani, të cilin e informoi rreth situatës politike në vend dhe kryesisht mbi qëndrimet e opozitës. Kreu i qeverisë shqiptare apeloi përsëri për rikthimin në Kuvend të kësaj force politike, duke shtuar se opozita nuk mund të mbahet peng si pasojë e një klani të ngushtë interesash të dyshimta në Partinë Socialiste.
Për këtë arsye, kryeministri Berisha përsëri ftesën që opozita të futet në parlament dhe të bëhet pjesë e debatit.
Ndërsa nga ana e tij, zëvendëspresidenti i KE-së, Antonio Tajani deklaroi se debati politik mund të zhvillohet vetëm në Parlament dhe për këtë arsye kjo forcë politike duhet të vendosë që të bëhet pjesë e diskutimeve parlamentare.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha i bëri me dije Zëvendëspresidentit Tajani reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si heqja e licensave dhe lejeve që përbënin burim korrupsioni; thjeshtësimi i procedurave administrative dhe vendosja e procedurave dixhitale, si: 100 për qind prokurime elektronike, regjistrimi elektronik i bizneseve përmes procedurës “One Stop Shop”, E-taksa, E-dogana, reduktimi i shpenzimeve abuzive administrative, futja e procedurave “heshtja është miratim” etj.
Si rezultat i këtyre masave dhe i luftës me tolerancë zero ndaj korrupsionit, qeveria shqiptare arriti të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit me rreth 23 për qind në vit dhe të ulë shpenzimet operative nga 3 për qind në 2 për qind të GDP-së. Vetëm nga heqja e privilegjeve të pushtetarëve, si makina e shoferë etj, shpenzimet operative të qeverisë shkurtohen me 30 për qind. Më tej, kryeministri Berisha i bëri me dije masat e marra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e shpejtë të vendit, si ato në fushën e financave, ku Kryeministri Berisha u ndal te taksa e sheshtë 10 për qind, ashtu dhe ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme në të gjithë vendin, qoftë arterie të mëdha si Rruga e Kombit, dhe rrugët që lidhin Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, por edhe rindërtimi dhe asfaltimi i 6 mijë kilometrave rrugë gjatë mandatit të kaluar. Ndërkohë që në katër vitet e këtij mandati, qeveria parashikon të shtrojë rreth 7 mijë kilometra rrugë. Shqipëria në moshën dixhitale është prioritet tjetër madhor i qeverisë shqiptare. Një ndër fushat më të suksesshme të punës së qeverisë gjatë kësaj periudhe ka qenë lufta ndaj krimit ordiner dhe të organizuar, çka bëri të mundur shkatërrimin e 206 organizatave të rrezikshme kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të 1000 bosëve dhe anëtarëve të tyre.
Për sa i përket bojkotit të opozitës, Zëvendëspresidenti Tajani, theksoi se debati politik duhet të zhvillohet në parlamentin shqiptar.
Lidhur me luftën e qeverisë kundër krimit të organizuar dhe aferave anti ligjore, Berisha u shpreh se qeveria është plotësisht e fokusuar në luftën kundër krimit ekonomik dhe sapo ka miratuar për këtë qëllim ligjin “Antimafia”.
Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti Tajani, ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se ligji “Antimafia” i miratuar nga qeveria shqiptare është shumë i rëndësishëm.
Në këtë kontekst Zëvendëspresidenti Tajani theksoi se plane veprimi dhe reformat e qeverisë në luftën kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme.
Ligji “Antimafia” i sapo miratuar nga qeveria shqiptare, si dhe reformat dhe përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, krimit financiar e të çdo lloji, janë shumë të rëndësishme.
Gjithashtu, kryeministri Berisha falënderoi Zëvendëspresidentin Tajani dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit Evropian. Berisha vlerësoi lart kontributin e jashtëzakonshëm të Komisionit Evropian në përkrahjen e reformave të ndërmarra në vend gjatë këtyre viteve, në kuadër të procesit të integrimit, si dhe kontributin për procesin e liberalizimit të vizave dhe punën voluminoze që KE po bën në hartimin e pyetësorit, që do t’i paraqitet Shqipërisë për hapat e saj të mëtejshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Zëvendëspresidenti Tajani, shprehu përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian dhe të popujve të Evropës kundrejt Shqipërisë dhe popullit shqiptar në rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian dhe të gjitha proceset e lidhura me të, siç është liberalizimi i vizave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›