E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Hetimor mund të marrë listat e zgjedhësve në Arkiv

Megjithëse fillimisht u tha se ato materiale do të mbahen “sekret” për më shumë se 25 vite, drejtoresha e Përgjithshme e Arkivave, Nevila Nika, ka deklaruar se materialet mund të vihen në dispozicion të palëve të treta, si komisionet hetimore apo organet e drejtësisë.

Sipas saj, bazuar në ligjin 'Për arkivat", të miratuar në vitin 2003, materialet e arkivuara, qofshin ato dhe të klasifikuara, mund të vihen në dispozicion dhe të palëve të treta, si komisionet hetimore apo organet e drejtësisë, pa kaluar afati 25-vjeçar i parashikuar në dispozitat  ligjore, sigurisht pa prekur të dhënat personale që ndodhen në këto lista. 

"Afati kohor është 25 vjet maturimi, por që gjithmonë ka edhe "mundësi shkelje" të këtij afati për interesa të mëdha, për grupe interesi, për komisione hetimore, prokurori etj, të cilat do t'i drejtohen derës së arkivit dhe do të kenë mundësi në një kohë minimalisht sa më të shkurtër që të këshillohen me këto dokumente", tha Nika. Ajo sqaron procedurat që mund të ndiqen për të marrë procesverbalet.

"Dokumentacioni që do të vijë nga KQZ-ja do të jetë paksa kompleks, tek ne do të vijnë proceverbalet dhe listat e zgjedhësve ku ne do të gjejmë emrin tonë, numrin e kartës së identitetit etj. Kjo pjesë i takon asaj, që ne e mbrojmë me ligj. Është dhe Komisioneri "për mbrojtjen e të dhënave personale" që bën të mundur jo vetëm shfrytëzimin, por dhe mbrojtjen. Arkivistët  kanë mundësinë të bëjnë një përpunim tekniko-shkencor të dokumentacionit duke ruajtur fshehtësinë, por duke mos penguar asnjë lloj hetimi  apo këshillimi të këtyre materialeve zgjedhore", sqaron Nika.

KQZ vendosi disa ditë më parë që fletët e votimit të digjen, ndërsa procesverbalet të dërgoheshin në Arkivin e Shtetit. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-09 13:56
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›