E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka, letër Berishës: Vendos, ose dalim vetëm në zgjedhje!

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i shkruan një letër lidershipit të PD-së, mbi të ardhmen e koalicionit

TIRANË- Në zyrën e kryeministrit Sali Berisha, ka mbërritur dje një letër e kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, nga përgjigja e së cilës do të varet edhe qëndrimi politik i demokristianëve në të ardhmen. Në mungesë të një komunikimi disa mujor mes dy partive, Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i shkruan një letër kryeministrit, nën cilësinë e kryetarit të partisë, ku vë në dijeni për përmbajtjen e saj edhe dy nënkryetarët e partisë, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi. Duke kujtuar marrëveshjen e nënshkruar mes dy partive, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, kërkon përmes letrës së dërguar, që, Partia Demokratike, të mbajë një qëndrim publik dhe zyrtar, nëse u përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara në raport me PDK-në, apo ka vendosur të prishë në mënyrë të njëanshme këtë marrëveshje. Ndoka paralajmëron se, në varësi të përgjigjes që do të marrë, PDK-ja do të rishikojë përfundimisht edhe pozicionin e saj, nëse do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, apo do të dalë e vetme në zgjedhje. “Dhënia e kësaj përgjigjeje është detyrimi minimal ndaj një aleati historik dhe politik, që i ka dhënë votat pa kushte PD-së në votimet dhe nismat më të rëndësishme politike parlamentare, por edhe një sinjal i qartë nëse koalicioni i djathtë politik dëshiron të hyjë i bashkuar apo i ndarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”,- thuhet në letër. Ndoka shkruan se, argumenti që kryeministri Berisha përdori për të larguar nga qeveria demokristianët, ishte thjesht një alibi. “Ekzistenca e një procesi gjyqësor, mbetet fiktive, përderisa ju, vendosët largimin nga qeveria të kryetarit legjitim, ndërkohë që mbajtët në qeveri një zyrtar pa mandat politik, kontributi i vetëm i të cilit, në qeverisjen e djathtë, është ndërtimi i një pallati pa leje në qendër të Shkodrës”,- thuhet në letrën e dërguar. Ndoka, kujton se nga PD-ja janë marrë edhe disa nisma të tjera politike për të shkarkuar çdo funksionar civil dhe përfaqësues në institucionet ligjore e kushtetuese, që dyshohen si anëtarë apo mbështetës të PDK-së, çka, sipas tij, lënë shije të hidhur dhe janë dëshmi e një sjelljeje joserioze për një partner politik koalicioni. Kryetari i PDK-së kujton jo pak edhe përmbajtjen e marrëveshjes politike të nënshkruar mes dy partive, ku, partitë respektive, morën angazhime konkrete për një bashkëpunim institucional dhe afatgjatë. “Parë në retrospektivë kam bindjen e thellë se PDK-ja i ka përmbushur tërësisht angazhimet dhe përgjegjësitë e veta”,- shkruan Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›