Shkelet protokolli, asnjë ministër me Topin në Itali
TIRANË- Mazhoranca e kryesuar nga kryeministri Sali Berisha pas prokurorisë po hap një tjetër konflikt, kësaj here, me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Pas rrëzimit nga Kuvendi të dy kandidaturave të propozuara nga kreu i shtetit për anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës gati një javë më parë, shumica qeverisëse i ka dhënë një goditje tjetër marrëdhënieve të saj me institucionin e Presidentit, duke u bërë kësaj radhe protagoniste e një skandali të rëndë protokollar. Të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar kanë refuzuar ftesën e Presidentit Bamir Topi për ta shoqëruar atë gjatë vizitës së tij disa ditore që po kryen në Itali. Protokolli kërkon që në një vizitë të rëndësishme siç është edhe ajo në shtetin fqinj, kreu i shtetit të shoqërohej të paktën nga një ministër, ndërkohë që në takimet të nivelit tepër të lartë siç ishte ajo me Presidentin Napolitano dy ditë më parë, Presidenti ynë shoqërohej vetëm nga këshilltarët, e stafi i tij i ngushtë. Të gjithë ministrat e ftuar për të qenë pjesë e këtij delegacioni e kanë argumentuar mungesën e pjesëmarrjes, me axhendën e ngarkuar.
Vizita e Topit
Ndërkohë, Italia do të vazhdojë të jetë avokatia e Shqipërisë në rrugën e saj integruese në strukturat euro-atlantike. Këtë garanci kanë dhënë krerët më të lartë të shtetit dhe politikës italiane gjatë takimeve që kanë pasur me Presidentin e Republikës Bamir Topi. Në vijim të vizitës së tij, kreu i shtetit zhvilloi gjatë ditës së djeshme një takim me kreun e koalicionit të së majtës italiane dhe njëkohësisht sekretarin kombëtar të Partisë Demokratike, Valter Veltroni, i cili shoqërohej edhe nga Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë, deputeti Lapo Pisteli. Gjatë kësaj bisede presidenti Topi vuri në dukje faktin se Italia është partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë dhe se për vetë historinë dhe raportet tradicionale mes popujve tanë, afërsinë gjeografike dhe lidhjet kulturore, marrëdhëniet bilaterale italo-shqiptare janë në një nivel të shkëlqyer në të gjitha fushat. Pasi bëri një përshkrim të reformave themelore si reforma në drejtësi, ajo zgjedhore, apo edhe ekonomike, Presidenti Topi vuri në dukje arritjet dhe sukseset e Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimet për përkrahjen e vazhdueshme të Italisë në mbështetje të vendit tonë për integrimin e plotë në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Europian. Presidenti Topi dhe Sekretari kombëtar i Partisë Demokratike ndanë të njëjtin mendim për sa i përket vijueshmërisë së kësaj përkrahjeje, si dhe vunë në pah faktin që Italia do të vazhdojë të luajë rolin e saj të rëndësishëm si avokatja e Shqipërisë duke dhënë mbështetjen maksimale dhe intensive në procesin integrues të vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Veltroni
Veltroni u shpreh se vizita e Presidentit Topi në Itali dëshmon më së miri nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe lidhjet e ngushta e të gjithanshme mes dy vendeve tona. Duke folur edhe për situatën në Ballkan, për të ardhmen e tij të sigurt euro-atlantike, Veltroni vlerësoi lart rolin moderator dhe pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon duke e cilësuar si shumë të rëndësishëm edhe rolin e Italisë në këtë proces bashkëpunimi rajonal. Në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Itali, Topi i shoqëruar edhe nga delegacioni zyrtar, u pritën dje në mesditë nga Kryetari i Bashkisë së Romës, Xhani Alemano. Para takimit Presidenti Topi la një shënim mirënjohjeje për mikpritjen e rezervuar në kryeqytetin e vendit fqinj në librin e përshtypjeve të Bashkisë romane.