Komisioni i Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik diskuton për zgjedhjen e nënkryetarit të KKRT-së
Mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, e zhvilluar më datë 14 tetor 2008, në orën 10.00, filloi me njohjen e vendimit të KKRT-së, nr. 728, datë 29.9.2008, për zgjedhjen e nënkryetarit të ri të KKRT-së, zotit Alban Karapici dhe me kërkesën drejtuar Komisionit për konfirmimin e afatit të mandatit të tij.
Nga Komisioni, me propozimin e një deputeti, KKRT-së iu kërkua deklarata personale e z. Karapici, lidhur me kushtet e papajtueshmërive ligjore, bazuar në nenet 8 dhe 14 të ligjit Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.
Mbledhja vazhdoi me propozimin e zotit Patozi për futjen në rendin e ditës të votimit të dy kandidaturave të propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për vendin e mbetur vakant në këtë institucion, pas largimit të nënkryetarit Frano Kulli. Pas debateve midis përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës (këta të fundit kërkojnë një përfaqësim më të gjerë të subjekteve propozuese dhe, si rrjedhim, më shumë kandidatura), çështja u hodh në votim dhe me shumicën e votave të anëtarëve të pozitës prezent në mbledhje u pranua vazhdimi i diskutimit të saj. Pas vazhdimit të debateve, nga Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, u propozua që kjo çështje të vazhdojë të diskutohet në mbledhjen e datës 15 tetor.
Në fund, Komisioni diskutoi në parim projektligjin Për disa ndryshime në ligjin nr. 8872, datë 29.3. 2002 Për arsimin profesional në Republikën e Shqipërisë. Pas pyetjeve drejtuar specialistëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, diskutimi nen për nen i tij u la për në një mbledhje të ardhshme.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 296).