Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin fillon shqyrtimin e projektligjit për faunën e egër
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 6 tetor 2008, filloi shqyrtimin e projektligjit: Për mbrojtjen e faunës së egër.
Ishin të pranishëm në mbledhje përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino, Saimir Hoxha, Elvana Rama dhe Bajram Ejdiaj.
Fillimisht, Komisioni dëgjoi një paraqitje të shkurtër të projektligjit nga të ftuarit. Ata shpjeguan se hartimi i këtij projektligji është realizuar në bazë të detyrimeve në kuadër të MSA-së me BE-në dhe në zbatim të konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, ku vendi ynë është palë. Projektligji synon të rregullojë mbrojtjen dhe përdorimin e faunës së egër. Më tej, u kalua në pyetje dhe diskutime.
Gjatë diskutimeve u ngrit çështja nëse është e nevojshme që mbrojtja e faunës së egër, të ketë një ligj të veçantë, apo duhet të jetë në një ligj së bashku me gjuetinë. Përfaqësuesit e Ministrisë u përgjigjën se së shpejti, do të vijë për miratim projektligji Për gjuetinë, i cili është hartuar në zbatim të direktivës përkatëse të BE-së.
Shqyrtimi i projektligjit do të vijojë në mbledhjen e ardhshme.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 293).