E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ekonomisë diskuton ndryshimet në ligjin “Prokurimet publike”

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave diskutoi sot ndryshimet në ligjin "Për prokurimin publik", të cilat synojnë zbatimin e dispozitave për kontrata publike për operatorët që veprojnë në sektorët e ujit, energjisë, transportit dhe shërbimeve postare, por edhe ngritjen e një komisioni për shqyrtimin e ankesave. Drejtore e Agjencisë së Prokurimit Publik, Klodiana Cankja, tha se "duke qënë se legjislacioni aktual nuk rregullon prokurimet publike në sektorët e utiliteteve, ndërmarrja e kësaj nisme përbën një hap përpara drejt përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së". Gjithashtu, sipas znj. Cankja, një ndryshim tjetër i propozuar në këtë p/ligj është edhe ngritja e një organi rishikimi kolegjial, i cili do të jetë në varësi të Kryeministrit. "Ky organ që ka në kompetencë rishikimin e ankesave të prokurimeve publike, i merr vendimet në mënyrë kolegjiale, vendime që janë administrativisht përfundimtare", tha Cankja, ndërsa shtoi se "kundër vendimeve të komisionit bëhet ankim pranë gjykatës përkatëse". Deri tani ky proces është kryer nga Drejtoria e Ankesave dhe Çëshjteve Ligjore për Prokurimet, në Agjencine e Prokurimit Publik. Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka 100% prokurime elektronike. Vendi i dytë në botë për prokurime elektronike të zhvilluar është Kili me 85 % , standardi evropian është me 40 %.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›