E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Berishës në Kosovë, tregues i konsensusit mbarëkombëtar se duhet të shkohet drejt bashkimit ekonomik e shpirtëror

Në një koment të Radio Moskës, vitin e kaluar, u etiketuan si “dy realitete racionale” ekzistenca e Kosovës dhe e Shqipërisë, në hartën politike bashkëkohore të Evropës. Etiketimi u publikua si një deklarim i presidentit kosovar Fatmir Sejdiu, gjatë takimit të zhvilluar me “trashëgimtarin e fronit mbretëror shqiptar” Leka Zogun e Parë. Sipas fjalëve të zotit Sejdiu, citohet Radio Moska, “Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete dhe në një cilësi të tillë ato do të bashkohën me famijlen evropiane”. Por Radio Moska shtronte pyetjen: "Por, a është vallë kështu në të vërtetë? Dhe ç’kërkon në Kosovë trashëgimtari i fronit mbretëror shqiptar? Thëniet e sipërpërmendura të Fatmir Sejdiut, dihet se nuk tingëlluan këndshëm, në kontekstin aspak të thjeshtë politik për Shqipërinë dhe Kosovën, nga zërat e mekur e të çjerrë të Beogradit. Këto ditët e fundit në Beograd u rinis kakofonia e zërave të ashpër, një ditë para shkuarjes në Kosovë, të Kryeministrit të Shqipërisë, dr. Sali Berisha në vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, me ftesë zyrtare të Kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi. Dje, të gjithë gazetat e Beogradit, në prag të vizitës në Kosovë, shkruanin se Beogradi, pas disa komenteve të Kryeministrit Berisha, të bëra pas inagurimit të asaj që njihet si Rruga e Kombit - Rrugën Durrës - Kukës, për ato që u mbiquajtën si deklarime që "bien ndesh me sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Serbisë” ritheksuan se “deklaratat e Berishës dëmtojnë raportet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal".

Beogradi duket se u frigohet deklaratave të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, se projekti i unitetit kombëtar të shqiptarëve duhet të jetë ide udhëheqëse, për të gjithë politikanët, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Si kundërvënie ndaj vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, Beogradi, ka zgjedhur të proklamojë me të madhe, vizitën e paraparë të kryetarit së Federatës ruse Dmitrij Medvedev në Beograd. Duke folur për Kosovën, në prag të kësaj vizite, ambasadori rus në Beogradë, ka vërtetuar se Rusia dhe Serbia janë plotësisht të dakorduara ta sabotojnë "pavarësinë e Kosovës". Ai (ambasadori rus) ka përkujtuar në një intervistë dje, se që të dy palët duhet të kenë qëndrimin e koordinuar në paraqitjen e mendimit para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legalitetin ose jo të pavarësisë së shpallur  të Kosovës. Përveç kësaj, ka thënë ai, konsideroj se Rusia dhe Serbia duhet të jenë shumë të forta në mbështetje të qëndrimit që respekton Rezolutën 1244. “Rusia konsideron që forcat ndërkombëtare, të cilat veprojnë në territorin e Kosovës, ka thënë ambasadori rus në Beograd, duhet të heqin dorë nga tentimi i plotësimit faktik të planit të Ahtisarit. Sipas mendimit të Moskës, thotë ai, forcat ndërkombëtare në Kosovë, janë të paligjshme mbasi ato po punojnë në përgatitjen e Forcës së Sigurisë në Kosovë, që sipas tyre, po del jashtë mandatit që atyre u takon legalisht në Kosovë. Në mes të detyrave konkrete të dy shteteve tona, ka deklaruar ambasadori rus në Beograd, është që së bashku me shtete të tjera që kanë qëndrimin e njëjtë për këtë çështje, t’i koncentrojmë tentimet tona”.

Mirëpo, lajmet që dalin këto ditë nga Beogradi, tregojnë se mbas vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, Beogradi ka përgatitur një sulm tjetër, një reagim edhe më të ashpër, që rrezikon të përhapet pandërprerë edhe në vendet fqinje. Kujtojmë këtu se mbas 12 qershorit 1999, ditë kur u kurorëzua edhe çlirimi i Kosovës, por më tepër pas 17 shkurtit 2007, shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nga Beogradi vazhdimisht u "mbars" më vonë me shumë teza dhe hipoteza, të cilat kanë të njëjtin dirrigjim  dhe inskenohen në përshtatje me vetë rrjedhjen e ngjarjeve në rajonin e trazuar, ku paqja dhe siguria e brishtë, tashmë nuk ju intereson vetëm sadistëve, kriminelëve e vampirëve të Beogradit.

Tash, pasi Kosova, realizoi ëndrrën e vet shekullore, Beogradi e sheh gjithçka të Kosovës, i vërejtur dhe me sy të keq. E kjo pikësëpari, nis prej luftës që po bën pa pushuar Beogradi, për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, paçka se deri më tani, këtë aksion e kanë ndërmarrë 63 shtete, përfshirë këtu shtetet më të mëdha e më të fuqishme të botës, SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Japonia, Italia, Kanadaja e Arabia Saudite.

Në lojën e Beogradit gjithmon e gatshme shfaqet Maqedonia, e cila bëhet shpeshherë objekt i disa hipotezave qëllimkeqe, por të mirëpërgatitura nga kushina pansllave. Kështu këto ndjesi i kemi parë me ravijëzimin e kufirit Kosovë - Maqedoni, aksion që provokoi disa herë edhe ndërhyrjen e forcave speciale e policore, apo shkaktoi incidente ndërkufitare. Gjithmonë, me anë të provokimeve me shqiptarët, kërkohet me insistim që gjendja të tensionohet dhe të kalohet patjetër në eskalim e destabilizim të Maqedonisë, Ballkanit e të të gjithë rajonit. Rasti më i fundit i tentim-destabilizimit u bë me provokimin më të turpshëm të Akademisë maqedonase, me palo-Enciklopedinë e saj të re. Nga ana tjetër, Beogradi, vazhdimisht po shfrytëzon edhe vendbanimet etnike shqiptare në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, për të manipuluar me ngjarje të inskenuara edhe komunitetin ndërkombëtar. Ai po synon krijimin e një “Kosove tjetër”, si ajo e kohës kur incidentet, provokimet e vrasjet e shqiptarëve, nxisnin vetëm gjakderdhje millosheviçjane, karakteristikë e parapërgatitjes së tyre për terror, edhe pse gjithçka justifikohet nën rrobën e grisur të propagandës tashmë të falimentuar e të dalë boje se Serbia është duke luftuar "terroristët" shqiptarë.

Kështu që po t’u referohemi komenteve më të fundit të dala nga Beogradi, Moska a ndonjë trutharë nga Athina, duket qartë se edhe vizita e Kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë, me ftesë të Kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi, ka të njëjtin marketing akuzash e refuzimesh, atë që ofrojnë Aleancat e vjetra pansllave e panortodokse. Ata janë  egërsuar e tmerruar me këtë vizitë. Por fatkeqësisht ka edhe "trutharë" në Shqipëri, që gjoja bëjnë opozitë, dhe shkruajnë e flasin se Berisha, po e "përçan faktorin politik në Kosovë" me këtë vizitë. Ky është një kontigjent, i cili i mëshoi kësaj teze më shumë, gjatë qershorit, me inaugurimin e rrugës së Kombit, Durrës - Kukës, ku në shembjen e pjesës së fundit të tunelit, mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës. Por kjo garniturë s’po ka sukses dhe tashmë atje ka rënë dëshpërimi, meqë strukturës shpifëse e filosllave nuk po i bashkohet kurrfarë faktori relevant në Prishtinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›