Mbi obstruksionizmin e opozitës edviniste
Të dhënat për këtë shkrim:
Erion Braçe: U vra x-i nga y-i sepse dikur y-it i ishte vrarë i ati nga x-i. Ja, Kanuni i L. Dukagjinit!
Gjermeni: U vra në spital një doktor, në krye të detyrës.
Kiço Blushi: Vrau katër veta një kriminel!
Spartak Ngjela: Përmes aksionit rrug(açër)or, qeveria rrëzohet për dy muaj!
Edvini: Kemi Ok-in e administratave euroatlantike për bojkotin ( = ultimatumet) në sheshe (= rrugore).
Të majmurit nga “të ardhurat“ bashkiake: “Zgjedhjet e 28 qershorit, pa standarde, jotransparente, jodemokratike”.
* * *
Duke u mbështetur në rezymenë e mësipërme, duket se faktori ndërkombëtar e ka kuptuar, tashmë, se majtizmi ynë opozitar, veçanërisht ai “i kapur” nga E. Rama, ndryshon kryekëput nga e majta demokratike europiane, që është gjithmonë në një oponencë konstruktive, në detyrën e një synimi të përbashkët, që ka të bëjë me mbrothësinë e vendit. Te ne, interesat e Shqipërisë janë në rrafsh të dytë nga opozita jonë e Ramës. Sepse majtizmi ynë, i molepsur me paragjykime nostalgjike si askund tjetër në demokracitë euroatlantike, ka si objektiv kryesor vënien në dorë të pushtetit me çdo mjet, me çdo kusht, me të gjitha mënyrat që përshkruhen në “Princin” e Makiavelit.
Par të mos u zgjatur, mjafton të përmendim ngjarjen që ka të bëjë me humbjen e jetës së të ndjerit Kosta Trebicka. Muaj e muaj të tërë, buçitën të gjitha fanfarat e mediave xhepafryrë, në shërbim të Edi Ramës, me një zë të vetëm: është një atentat! Që në ditën e parë të kësaj fatkeqësie. Pa pyetur asfare për ndonjë shprehje të kompetentëve, organeve të prokurorisë, ekspertëve. Kasnecët me pikënisje nga selia e Edvinit, s’kishin pse të merrnin të dhëna, as që donin të informoheshin. Ata e dhanë sentencën kur organet e drejtësisë s’u kishin hyrë endé në themel hetimeve.
Më së fundi, pas gjithë asaj zhurmnaje shurdhuese, çështja u sqarua përfundimisht. Ishte një aksident. Në një intervistë të ditëve të fundit që dha e motra e të ndjerit, zonja Rolanda Dhimitri, në “Gazetën Shqiptare”, duke u shprehur për kujtimet e saj për të vëllanë, e përmendte këtë fatkeqësi si një aksident. Për më tepër édhe intervistuesja, në boksin e komentit të këtij bashkëbisedimi, me profesionalizëm – do të thosha – e përmend ngjarjen e hidhur si një aksident automobilistik, jo si një atentat. E mos të harrojmë se gazeta e sapocilësuar, në kohë më të hershme, për këtë ngjarjen e kishte fjalën atentat, si një lajtmotiv të pamunguar! Çështja u mbyll, përfundimisht. Mbeti vetëm shija e keqe, indoktrinuese, e një propagande destruktive. Në vendet e tjera me demokraci të konsoliduar, kjo mungesë objektiviteti, ky paragjykim në thelb të të cilit qëndron uzurpimi i vendimeve gjyqësore nga propagandistët e shfrenuar, që jepnin vetë sentenca parafabrikate, do të duhej të shoqërohej, së paku, me një kërkim ndjese për një shformim të vullnetshëm të një ngjarjeje të rëndë.
E keqja është se s’kemi të bëjmë me një rastësi. Erion Braçe nuk është dalluar për objektivitet. Me një zë që nuk ka potencialin e shefit të tij, por që kërkon ta imitojë atë, ai ulërin me një zë të çjerrë për ngjarje të cilat duhen shfrytëzuar, për të nxjerrë përfundimin se në vendin tonë nuk ka sigurí. Mjafton një vrasje, që të bjerë në gojën e tij përgojuese. Do të mjaftonte një hakmarrje për shpagim, gjë që ndodh në të gjitha vendet që ne i quajmë me siguri të lartë. Mirë ai që vuan nga mungesa e kulturës, por na del edhe një letrar me vlerë, por fatkeqësisht i indoktrinuar, që përmend, - jo pa synime denigruese politike, - vrasjen e katër personave të rendit, nga një i papërgjegjshëm që synon të mos u bjerë në dorë policëve. Dhe nxjerr përfundime, siç ia do puna! Po a ka parë, vallë, në emisionet televizive të jashtme apo në librat, ky njeri me gjuhë të huaja, se edhe në Amerikë vrasës serialë kanë vrarë jo katër, por katërmbëdhjetë e më shumë njerëz të cilët, si të thuash, i kanë bërë këto krime vetëm për hóbi, ta zëmë në rastin kur viktimat janë femra të përdala! Po ç’punë ka ky njeri i çekuilibruar që të merret me prostitutat? Mbase autori i këtyre “argumenteve” kërkon të na mburret, me një alegori të keqe e të pashprehur drejtpërdrejt, se në kohën e Enver Hoxhës nuk ndodhnin gjëra të tilla! Por është një apologji infantile. Sepse diktatori E. Hoxha kishte vrarë e prerë e kishte shkaktuar viktima të panumërta në kampet e shfarosjes, ku epidemitë bënin kërdinë, veçanërisht në fëmijët fatkëqij që duhej të përgjigjeshin për çka kishin bërë gjyshërit e tyre të panjohur! E këta skizofrenë e maniakë nuk e nxirrnin dot kokën, se aty pranë e kishin gijotinën. Por, sapo u hap kapaku i trysnisë, - me shembjen e diktaturës - shpërthyen këta të patenzonë (një pjesë e madhe e të cilëve ishin në kategorinë e mburrjes për “njeriun e ri”) dhe vunë individualitetin e tyre të përdhosur në ballafaqim agresiv të një shpirti të çekuilibruar, me shoqërinë paqësore, të cilën e sfidojnë në mënyrë të papërgjegjshme.
Diktatura, ç’është e vërteta, i ka disa përparësi. Por një analizë e drejtpeshuar nuk të lejon që ta instrumentalizosh dukurinë, për të nxjerrë epërsi të paqena dhe të përligjësh mizorinë e kohës së atëhershme me gjërat që shfrytëzohen për keq tani , duke shfrytëzuar tolerancën demokratike të një shoqërie që ka hequr dorë nga keqpërdorimi qoftë edhe i të pandehurve. Mos të dalim te fabula e krahasimit të përmasave të bretkosës me ato të kaut (“La grenouille et le boeuf” ) ku e para nënkupton këto krime për të cilët po flasim dhe i dyti ta çon përfytyrimin në krimet e panumërta të një regjimi mizor. Kërkojmë falje për përsëritjen, por kjo nuk kuptohet dot nga zonja Gjermeni, zëdhënëse e PS-së së Edi Ramës (se ka edhe një PS tjetër, të reformuar, që shpejt do t’i amplifikohet zëri!). Kjo zëdhënëse doli në TV dhe përdori fjalën “paaftësi”, - duke e përsëritur këtë fjalë, - duke shfrytëzuar atë ngjarje të dhimbshme në spital, ku i revoltuari që bëri vrasjen kishte thënë se siç mbetën fëmijët e tij pa nënë, le të mbeteshin edhe ata të të vrarit prej tij, pa baba! Larg qoftë mendimi për t’i dalë në anë njërit apo tjetrit. Por nuk mund të mohohet se këtu kemi të bëjmë me një vetëflijim, në njëfarë mënyre. S’kishte përse të arrihej gjer këtu. Përse fëmijët e tij pa nënë duhej të mbeteshin të privuar edhe nga prania e të atit? Përse ai që bëri këtë akt të pamenduar të mbështetej në fjalët e njërit apo të tjetrit, domethënë të binte pré e thashethemeve?
Por përseja më e madhe është kjo: Përse të politizohet kjo fatkeqësi e një personi të skllavëruar në shpirt nga e keqja? Pyetja që mund t’i bëhet zonjës zëdhënëse është kjo: Të ishte Rama në krye të vendit, a do ta vinte dorën në zjarr ajo zëdhënësja e “paaftësive qeveritare” (!), se s’kishte për të ndodhur kjo ngjarje e trishtueshme? Një pyetje tjetër për Gjermenin: Përse Rama, në ofiqin e kreut të bashkisë, nuk qe i aftë që të ndalonte aksidentin rrugor që i mori jetën punonjësit më profesionist të bashkisë, fatkeqit Ervin Preza, në një rrugëtim turistik gjer në mjediset e malit të Dajtit ? Përse, zonja Gjermeni? Ja gjer në ç’marrëzi shkon makthi përnjollosës ndaj një qeverisjeje, që u dashka poshtëruar në çdo hap të veprimtarisë së saj për të hapur sa më shpejt portat e BE-së. Ato porta të cilat opozita jonë s’e ka për gjë t’i mbyllë, madje të shpërfillë edhe përpjekjet e suksesshme që po afrojnë liberalizimin e vizave. Mjafton që të krijohen kushtet që të vijnë sa më shpejt në fuqi! Qoftë edhe me bojkotim parlamenti. Qoftë edhe me ulërima (kërcënime, në të vërtetë) rrugësh. Pavarësisht se mund të përmenden me dhjetëra shprehje të personaliteteve ndërkombëtare se “zgjedhjet e 28 qershorit janë më të mirat e atyre që janë bërë gjatë të gjitha viteve të pluralizmit, në Shqipëri!”. E kanë thënë, apo është e sajuar kjo thënie? Kjo dashka të thënka se kemi të bëjmë me mosplotësim standardesh? Le të citohet kush e ka thënë, konkretisht një gjë të tillë, përveç njerëzve dhe zëdhënësve të Ramës, për të shformuar të vërtetën?
Një opozitë konstruktive nuk do t’ia lejonte vetes mashtrimet. Por jemi larg një opozite të tillë; me përjashtim të reformatorëve, të cilëve nuk u bën goja të nxjerrin të pavërteta të tilla. E pikërisht se nuk e pranojnë si aksiomatike dëshirën e ankthshme të Ramës se kinse ai i kishte “fituar” zgjedhjet, ata tani i druhen përjashtimit nga partia. Prandaj bien ndesh edhe me ndërgjegjen e tyre politike , që të mos venë edhe ata në parlament, “për disiplinë partie”! Po në rrugë a do të dalin?
Tani na del opozitar édhe ish-zëdhënësi i PD-së, Spartak Ngjela, ishi i shumë partive gjer te Legaliteti e, tani së fundi, (pardon: i parafundit) si ithtar i zjarrtë i Ramës, më ekstremist se ai vetë,që ia mori arrët për vendin e kreut të bashkisë, me idera ultraliberale (të vetëshpallura, natyrisht), një Tak i cili na bën shw ditën për diell, se do ta përmbysë qeverisjen, brenda dy muajve. Ne ç’mënyrë? Me dhunën rrugaçërore, me bojkotin e parlamentit po se po! Veçse nuk kanë kaluar veçse dy apo tri ditë që u kujtua se nuk qenka i majtë, madje i së majtës ekstreme, por safi i djathtë, i së djathtës mender të idhujtarive të rreme të kultit të ligjit! Dhe e djathta u dashka të vijë në fuqi me ato thërrimet (më saktë, thërrmijëzat) e pseudopartisë së tij, por me kusht që këto kokrriza të përjashtojnë Partinë Demokratike! Kanë bërë një dyshe me “të djathtin” tjetër gojëshpellë, Nard Ndokën që është i gatshëm të bashkohet edhe me Belzebunë me brirë, vetëm e vetëm që të marrë një copë të pamerituar ministri, paçka se nuk ka as kulturën, as profesionalizmin politik, që të bëjë karrierën e madhe, të cilën e ëndërron me sy hapur! Në të vërtetë të majtët s’e kanë çmuar kurrë Nardin gojëshpellë, me përjashtim kur e quajti dr. Berishën komunist! Por në kohën kur Berisha u vuri drithërimat Ramizëve me lakenjtë e R. Alisë, Nardi ku ishte, që nuk njihej askund? Në ç’vrima ishte strukur? Ç’aktivitet “antikomunist” kishte bërë? Në ç’tribuna kishte dalë për të zhdukur emblemat e komunizmit? Ato fjalët përbuzëse për mungesë kulture, ia kanë përplasur vetë majtistët, kur ishte ministër i shëndetësisë. Apo nuk i kujtohet kur njëri prej majtistëve e quante zdrukthëtar, tjetri hidraulik, një i tretë ngulmonte se ishte laborant, dhe i katërti thoshte se ishte me dëftesë shkollore të nivelit të mesëm, të marrë me hile?
Vijmë te pika e fundit e rezymesë sonë:
* * *
Të majmurit nga „të ardhurat“ bashkiake: “Zgjedhjet e 28 qershorit, pa standarde, jotransparente, jodemokratike”.
Me këto slogane, e të tjera të këtij kallëpi, E. Rama e përdhosi nenin 28 të statusit të PS-së, për dorëheqjen e kryetarit, nëse PS-ja nuk dilte fituese në zgjedhjet parlamentare. Por ja që PS-ja doli fituese, se! Kjo thënie e Ramës ishte paradoksale. Sepse, po të ishte fitues, nuk do të ishte në opozitë! Sado që s’ishte politikan, një kundërthënie e tillë nuk donte ndonjë shkollë të madhe që të kuptohej. Atëherë e ndërroi menjëherë arsyetimin foshnjarak dhe nxori variantin tjetër: na u vodhën zgjedhjet! Edhe këtu ra në kundërthënie. Sepse, në ekstazën e tij se zgjedhjet i kishte të fituara dhe i mbështetur në faktin se komisionerët e tij ishin zgjedhur kokërr më kokërr nga ai vetë si nga më të përkushtuarit, kishte deklaruar, në fillim të herës, se zgjedhjet ishin të rregullta. (Lexuesit duhet t’i kujtohet ky episod politik, sepse thëniet e politikanëve, qofshin edhe të përçartura, janë të regjistruara). Ishte koha kur dilte para kamerave me sy të zgurdulluar nga pagjumësia! Pastaj nuk i mbetej veçse të thoshte të kundërtën: Na vodhën zgjedhjet! Zgjedhjet janë ilegjitime! (Ç’budallallëqe bëhen, që vetëm e vetëm të mos respektohet statusi!).
Varianti i pestë apo i gjashtë ishte, edhe ai, alogjik: të hapen disa kuti votimi, ndonëse nuk kërkojmë ndryshim mandatesh! Domethënë numri i deputetëve do të ishte i pandryshuar. Atëherë cili do të ishte afekti i kësaj hapjeje: që të bëjë vetëm propagandë të pambaruar diskredituese? Që t’i lodhë shqiptarët edhe më tej se kishe të drejtë në dyshimet e tij, pavarësisht se balancat parlamentare nuk do të ndryshonin? Në një debat me Tahirin, nëse nuk gaboj, iu bë kjo pyetje ithtarit të Edvinit: - “Po sikur kutitë të dalin jo ashtu siç mëton Rama? Përgjigjja nuk qe se Rama do të tërhiqej, në respektim të statusit. As se do të kërkonte ndjesë. Por: se atëherë do të mbyllej ky debat! Do të bënte mirë drejtuesi i programit të bënte këtë vërejtje: - Kjo do të thotë të bëjmë eksperimente, për qejf të Ramës?
Rama kërkon të bëhet Zeusi i Shqipërisë (edhe kryetar bashkie, edhe kryeministër), duke shkelur ligjet, në radhë të parë. Kuptohet se ç’katastrofë do të ishte për një vend, kur
një kryeshtetar me fuqi të pakufizuara, të shpërdoronte edhe rregullat më fillestare!
Kjo që thashë kërkon një arsyetim. Rama kishte komisionerët më të shumtë në krahasim me mjaft parti më të vogla. Këta komisionerë, jo vetëm që ishin zgjedhur prej tij për besnikërinë e tyre, por ishin edhe të mandatuar (domethënë me firmë e me vulë). Ishin, pra, persona juridikë. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ-ja (jo kapriçiot e Ramës) i sanksiononte si të rregullta kutitë e votimit, në qoftë se në raportin përfundimtar nuk gjenden vërejtje për parregullsi nga komisionerët e Komisionit Zgjedhor Vendor. KQZ-ja në bazë të rregullores së saj i ka quajtur të rregullta në votim 7:7 të gjitha sanksionimet për caktimin e mandateve të deputetëve. Sapo e pamë se vendimi është unanim, domethënë edhe me pranimin e socialistëve. Tani Rama kërkon të fshijë firmat dhe vulën e organit epror të zgjedhjeve, për hapjen e kutive të votimit! Mbrojtësit e Ramës thonë se ka pasë “precedentë”, të numërimit sërishmi. Por kur ka pasur kontestime, ama. Nuk ka pasur raste rinumërimesh kur vendimet në bazë kanë qenë të njëzëshme në kuptim të rregullsisë së konfirmuar. Pra, fjala precedent ka këtë kuptim. Jo atë që është vënë në thonjëza!
Këto janë rebuset e Ramës, që të çojnë në mosnjohje të personave zyrtarë, të ngarkuar prej tij! Shkurt: Rama hedh poshtë rregulloren, që ka marrë formë ligjore në bazë të një konsensusi, në të cilin ai ka vënë firmën! Më shkurt akoma: Hajde të hedhim poshtë ligjin, që të bëhem kryetar i PS-së!
Këto sofizma kanë zgjuar kundërveprimin e atyre që tani quhen reformatorë. Ata duken si në pakicë. Por arsyetimet e tyre janë të paqortueshme. Ata po shtohen dita-ditës. Të interesuarit që kanë ndjekur debatet në PS, (gazetarë, analistë, por edhe njerëz të thjeshtë) kanë vënë re se Rama nuk është as transparent, as me shpirt demokrat, as i ndershëm në zgjedhjet brenda vedit, as pranues i mendimit ndryshe. Pra, s’ka të drejtë të flasë për standarde. Kjo gjë mund të jetë objekt më vete, për një shkrim tjetër. Por, duke i rënë shkurt, ai ka dhënë etalonin e mungesës tërësore të transparencës, me dyert e tij të mbyllura. Arroganca e tij në debatet e brendshme është e papërgënjeshtrueshme, gjer në kërcënime të hapura për përjashtim nga partia. Mënyra sesi u zhvilluan zgjedhjet, me shtimin artificial të anëtarësisë gjer në shifrën astronomike të 82.000 “anëtarëve” ka habitur edhe socialistët, palé popullin, në përgjithësi. Është një kundërshtar arrogant i mendimit ndryshe. Gazetarët janë zhgënjyer prej tij, për prerjen harbute të fjalës së tyre, apo për mosbejendisjen që t’u jepte ndonjë përgjigje .
Përfundimi është ky: Një njeri që synon të drejtojë partinë e vet me metoda diktatoriale, mëton që të qeverisë një shtet të tërë, me po ato sjellje, por në demokrací. Për persona të tillë latinët kishin sentencën: “Medico, cura te ipso!”. (O mjek, shëro vetveten!).
...