E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruktohet në Elbasan kisha e Shën Mërisë

Përfaqëson një nga vlerat etnokulturore e arkitekturore të rralla në rajonin e Elbasanit Kisha Ortodokse Autoqefale “Shën Maria” në qendër të kalasë së qytetit të Elbasanit, është rikostruktuar tërësisht me një fond prej 12 milion lekësh, akorduar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Kisha e stilit bizantin, ndërtimi i së cilës mendohet se daton në vitin 1656, është një nga vlerat etnokulturore e arkitekturore të rralla në rajonin e Elbasanit. Famulltari i kësaj kishe, At Nikolla Marku tha se "përmes fondit prej 12 milion lekësh u rikonstruktuan mjediset e brendshme dhe të jashtme të kishës, ndërsa pritet akordimi i një fondi tjetër për restaurimin e afreskeve dhe pikturave murale, të cilat gjatë periudhës së diktaturës u lyen me gëlqere". Burimet historike dëshmojnë se kisha ka filluar të funksionojë në vitin 1656 , ndërsa u dogj plotësisht në 11 nëntor të vitit 1819. Në periudhën 1826 -1833 filluan e përfunduan punimet për rindërtimin e saj. Kisha “Shën Maria” është një ndërtim arkitekturor i stilit të vonë bizantin, i ndërtuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit dibran. Ajo ka shërbyer jo vetëm si objekt kulti, por edhe si një vatër e atdhetarisë. Rreth kësaj kishe kanë ushtruar veprimtarinë për shkrimin e gjuhës shqipe dhe deklarimin e psalmeve në gjuhën shqipe që nga Dhaskal Todri, Teodor Haxhifilipi, Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, etj. Ndërtesa pranë Kishës shërbeu si shkolla e parë shqipe në Elbasan në vitin 1908. Aktualisht kisha përfaqësohet nga famulltari At Nikolla Marku. Vendndodhja e saj është në zemër të kalasë dhe radhitet ndër kishat më të vjetra të vendit tonë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›