E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri firma në garë për koncesionin e Shërbimit të Kontrollit të Automjeteve



Tri kompani të huaja janë parakualifikuar për fazën e dytë të koncesionit për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve. Burime zyrtare pranë ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, bënë të ditur se në fazën e parë, atë të parakualifikimit të ofertave, janë përzgjedhur tre kompani të huaja, kompania franceze "SAS Sakar", ajo gjermane "TUV Sud", si dhe kompania zvicerane "SGS". Ekspertë nga Ministritë e Financave, Ekonomisë, si dhe specialistë të transporteve, që janë pjesë e grupit të punës së krijuar tashmë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, do të përzgjedhin mes këtyre tre kompanive të parakualifikuar. Grupi i punës do të kryejë vlerësimin e ofertës fituese dhe do ta shpallë rezultatin e vlerësimit në muajin dhjetor, 2008.
Sipas burimeve të mësipërme, kontrata e koncesionit do të bëhet deri në 20 vjet, ndërsa financimi i shërbimit do të bëhet nga tarifat për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm të mjeteve rrugore dhe rimorkiove. Koncesioni për Shërbimin e detyrueshëm të Kontrollit Teknik të Automjeteve ka si objektiv kryesor përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj shtetasve dhe subjekteve shtetërore dhe private, rritjen e sigurisë së qarkullimit në rrugë, zvogëlimin e ndotjes në mjedis, rritjen e eficencës së shërbimit, si dhe modernizmin e teknologjisë së shërbimit nëpërmjet vendosjes së standardeve teknologjike të larta në kontrollin e mjeteve.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›