E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Integrimit diskuton rezolutën e PD për vizat, mungon opozita

Komisioni i Integrimit të Parlamentit të Shqipërisë mori sot në shqyrtim rezolutën në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave, që do të miratohet ditën e enjte. Në këtë komision, megjithëse janë përcaktuar emrat e grupit Parlamentar Socialist, deputetët nuk ishin të pranishëm. Përmes një komunikimi për mediat, deputeti demokrat, Aldo Bumçi, tha se pavarësisht që nuk erdhën sot në shqyrtimin e rezolutës, PD u bën thirrje dhe fton opozitën që të jetë e pranishme ditën e enjte në seancë plenare, ku do të miratohet rezoluta për procesin e liberalizimit të vizave. “Ky nuk është një proces politik, nuk është një çështje politike, por është një çështje jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, qofshin këta të majtë, të djathtë, pa parti”, u shpreh zëdhënësi i grupit Parlamentar Demokrat. Ai tha se në përkrahje të këtij procesi, në përkrahje të një pune kolosale që është bërë në përmbushje të kërkesave të udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian, Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë një rezolutë. “Ne ftojmë opozitën në shprehje të vullnetit të saj, të vijë të votojë rezolutën në Kuvend duke treguar që është në përkrahje të këtij procesi jetik për qytetarët shqiptarë”, drejtoi ftesën grupit Parlamentar Socialist, Aldo Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›