E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm kërkon sqarime nga Islami për çështjen “Tarifa”

10/05/2005  Ministria nis kontrollin financiar në ambasadën e SHBA-së

Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa, me urdhër të Kryeministrit, Fatos Nano, do të pezullojë veprimtarinë e tij diplomatike për t’u kthyer në Tiranë, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e skandalit të mitmarrjes. Sipas Sekretarit të Përgjithëshm të Ministrisë së Jashtme me porosi të Kryeministrit Nano, nuk do të ketë asnjë tolerim në zbardhjen e kësaj çështjeje. Për këtë veprim tashmë është informuar dhe Presidenti i Republikës. Skandali i mitmarrjes nga diplomati shqiptar në ambasadën e SHBA-së në Uashington, Fatos Tarifa, do të shqyrtohet nga Komisioni parlamentar i Punëve të Jashtme. Aktualisht nga Kuvendi i Shqipërisë nuk është ndërmarrë ndonjë nismë për të kërkuar nga ministria sqarime, lidhur me skandalin e disa ditëve më parë, ku, nëpërmjet mediave, është pasqyruar një bisedë telefonike, e cila e përfshin Tarifën në një “pazar” prej 4 500 eurosh me një biznesmen. Mitamarrja mësohet të jetë bërë në kushtet parazgjedhore, në të cilën ndodhet vendi. Në prononcimet e dhëna për “Metropol” theksohet se në ditët në vazhdim do të ketë një reagim zyrtar nga Komisoni i Jashtëm, ku do të thërritet ministri Kastriot Islami për të qartësuar rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë që çështja e mitmarrjes do të hetohet nga kontrolli i brendshëm financiar i Ministrisë së Jashtme. Pas denoncimit në publik nga media, Tarifa duket se do t’i nënshtrohet hetimit për gjithë aktivitetin e tij në Uashington. Ministria e Punëve të Jashtme i ka kërkuar ambasadorit që të kthehet në Shqipëri për të zbardhur kështu të vërtetën, për të cilën ai është akuzuar. Ndërkohë që nga qeveria nuk ka dalë asnjë reagim zyrtar me çështjen në fjalë. Të vetmit që ka reaguar në këtë situatë kanë qenë përfaqësuesit e opozitës shqiptare, të cilët e kanë përkufizuar si një fenomen në diplomacinë shqipatre. Ndërkohë që kanë kërkuar që të veprojnë dhe strukturat e Kuvendit për të zbardhur “këtë skandal”.

Opozita

“Përdorimi i fondeve publike për përfitim personal”, për ish-ambasadorin Besnik Mustafaj, nga diplomati Tarifaj është vetëm njëra anë e medaljes së skandalit. Ajo që shqetëson më shumë Mustafajn është imazhi i shëmtuar, që diplomatët tanë lënë në kurriz të Shqipërisë gjatë veprimtarisë së tyre diplomatike. “Me diplomatë të tillë nuk mund të realizohet kurrsesi intregrimi i vendit në strukturat euroatlantike. Gjatë këtyre tetë viteve qeverisje nga socialistët, imazhi është katandisur atje ku po na shfaqet sot”, tha ai. Sipas Mustafajt, “diplomatët janë pasqyra e drejtuesve në Tiranë dhe ky shembull tregon më së miri marrëdhëniet e krimbura që ekzistojnë mes tyre. Kryeministri Fatos Nano vazhdon të bëjë emërime për diplomatë, të cilët nuk kanë aftësitë e duhura për të kryer këto misione dhe arsyet, për të cilat i bën janë për të përfituar dhe për të ngushëlluar ndokënd”. Mustafaj i është drejtuar ish-deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi, i cili pritet të emërohet ambasador, që të refuzojë postin që po i afron Nano, për të mos u bërë pre e lojërave të tilla. Gjithashtu, ai i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, që të mos dekretojë asnjë diplomat në këtë periudhë parazgjedhore.Bimo: Milo është debitor ndaj ministrisë

Skandali në diplomacinë shqiptare duket se nuk është i kufizuar vetëm te rasti Fatos Tarifa. Vetëm dje gjatë një konference për median, sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Roland Bimo, ka akuzuar ish-ministrin Paskal Milo si debitor ndaj ministrisë me një shumë që kap vlerën e 12 milionë lekëve. Sulmi i Bimos ka ardhur pas reagimit që ka bërë vetë ish-ministri Milo, i cili është shprehur se kjo situatë krijohet për shkak të keqqeverisjes nga drejtuesit në ministri. Ndërkohë, Bimo i ka kujtuar ish-ministrit se ka qenë ai që ka zgjedhur si ambasador Fatos Tarifën. Mesa duket, drejtues dhe ambasadorët e shikojnë postin e diplomatit më shumë si arsye përfitimi dhe karriere personale, se sa të ushtrojnë të drejtat dhe detyrat që i ka ngarkuar shteti dhe vendi. Ndoshta ky skandal do t'i hapë rrugë një hetimi të detajuar të këtij institucioni, i cili për vitet e fundit duhet të pasqyrojë një tablo të qartë të veprimtarisë financiare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›