E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Me PBDNJ do bëjmë koalicion, pavarësisht nga qëndrimi"

10/05/2005  Berisha thotë se PD është në bisedime me të gjithë të djathtët përveç LZHK

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje vonesat në përfundimin e bisedimeve me aleatët janë bërë shkak për bllokimin e listës së kandidaturave në 100 zonat elektorale. Berisha premtoi dje se do të ketë koalicione me të gjitha partitë parlamentare, përveç LZHK-së, e cila, sipas tij, punon për interesa të Kryeministrit Nano. “I vetmi shkak i vonimit të listave janë koalicionet dhe ky është shkaku që po vonohet lista e kandidatëve. Koalicione do të ketë me Ballin Kombëtar Demokrat, PBL, Bashkimi Demokrat etj. Ne jemi të bindur të bashkojmë të gjithë spektrin e djathtë, përveç LZHK, për të cilët, siç e dini, Nano ka futur duart thellë në lëvizjen e tyre”, tha Berisha. Ndërkohë, lideri demokrat u shpreh i sigurt për bashkëpunim para apo paszgjedhor me PBDNJ-në. Sipas tij, cilido të jetë qëndrimi i krerëve të kësaj partie, PBDNJ do të jetë pjesë e bashkëpunimit në qeverinë e PD-së, në rast se kjo parti fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Për sa i përket Partisë Bashkimit për të Drejtat e Njeriut deklaroj këtu se, pavarësisht se do të bëjë ose jo koalicion me ne, do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme. Ata, tani për tani, e kanë pak të vështirë të deklarohen, pasi janë dhe në koalicion me kundërshtarin, por ju siguroj se me ne ata do të jenë sërish në koalicion”, tha Berisha. Sipas tij, me bisedimet për koalicionet po merret sekretari i Përgjithshëm, Ritvan Bode, i cili tashmë është në negociata me PBL-në si dhe me formacione të tjera politike. Këto deklarata kreu demokrat i bëri pas një takimi me përfaqësues të OSBE, ku u diskutua për situatën parazgjedhore në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›