E Hënë, 2 Nëntor 2026

Po shpërblehemi me krenari për zgjedhjen që bënë partizanët komunist të Enver Hoxhës

10/05/2005  Majko në ditën e 9 majit përshëndet veteranët e luftës

Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, në ditën ndërkombëtare të fitores kundër fashizmit ka përshëndetur veteranët komunistë që iu bashkuan thirrjes së Enver Hoxhës për t’u bashkuar në luftë kundër pushtuesit. Majko tha se Shqipëria ishte një ndër vendet e cila pagoi shtrenjtë faturën e Luftës Nacionalçlirimtare. “E kemi paguar dhe ne shqiptarët këtë faturë. Madje, shumë shtrenjtë. Për t’u shpërblyer sot me krenari për atë zgjidhje të mençur e të vetme që bënë partizanët komunistë të Enver Hoxhës dhe gjithë nacionalistët e ndershëm të bashkuar me ta, duke e bërë edhe Shqipërinë pjesë të koalicionit të madh antifashist”, tha Majko. Sipas tij, ishte kjo thirrje e cila e vendosi Shqipërinë në krah të SHBA dhe forcave të tjera aleate në luftën e dytë botërore, dhe shënoi hapin e parë të Shqipërisë drejt perëndimit. “Ishte ajo një zgjedhje dhe zgjidhje e detyruar nga motive historike, politike, morale dhe kulturore që i shenjoi Shqipërisë destinacionin drejt Perëndimit dhe vlerave të tij. Për ta bërë dhe Shqipërinë kontribuese në ato përpjekje titanike të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, ish-Bashkimit Sovjetik në atë çast fatal dhe final për gjithë të ardhmen e njerëzimit. Që kërcënohej pikërisht në themelet e ekzistencës së tij, në ndërgjegjen humane dhe qytetërimin e krijuar në shekuj”, tha Majko. Sipas tij, më 9 maj të vitit 1945 u hodhën themelet e një bote të re pa tiranë dhe tirani. “Në këtë datë tiranët dhe tirania kuptuan se popujt e bashkuar kundër tyre mund të derdhin gjak, mund të vuajnë, mund të provojnë tmerret dhe sakrificat e një lufte, por dhe të triumfojnë mbi tmerrin e luftës”, tha Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›