E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Shitja e Albtelekom vetëm sa vlera e tokës

10/05/2005  Topalli: Albtelekom i është shitur një miku të Kryeministrit Nano

Privatizimi i Albtelekomit duhet të “ngrijë” si procedurë, për t’u zhvilluar në një kohë më transparente. Kjo ka qenë kërkesa e deputetëve të opozitës në seancën e djeshme të Kuvendit. Procedura e tenderimit për Albtelekom, ku pjesëmarrëse ka qenë vetëm një kompani e huaj me shifrën e ofruar prej 120 milionë euro, është cilësuar abuzive prej opozitës, edhe pse është vetëm për 76 për qind të aksioneve. Sipas kryetarit të Grupit parlamentar, Bamir Topi, kjo është vjedhja më e madhe që po i bëhet pasurive publike të kombit. Shitja nën vlerën reale që ka aktualisht kompania e vetme shtetërore në vend është një aferë korruptive e përmasave gjigande. Topi tha se, “vetëm vlera e aseteve në toka që ka aktualisht Albtelekomi në të gjithë vendin është gati sa shifra me të cilën është pranuar nga shteti që të shitet, kjo duke iu referuar llogaritjeve të Sokrat Sinaj”. Në këtë llogaritje nuk është marrë parasysh vlera që kap teknologjia, e cila, sipas Topit, vetëm në investimet e bërë vitet e fundit kapin vlerën e 200 milionë eurove. Aktualisht ende nuk është shpalluar kompania fituese, pavarësisht se në prokurimin e drejtpërdrejtë ka marrë pjesë vetëm kompania turke e telefonisë. Kjo është dhe një nga arsyet që deputetët demokratë kanë akuzuar Ministrinë e Ekonomisë, e cila ka prezantuar vetëm një firmë të vetme në një kohë që kanë shfaqur interes dhe kompani nga SHBA, Sllovenia, Korea, Irlanda etj. Ndërsa nga deputetja Jozefina Topalli është akuzuar direkt Kryeministri Fatos Nano. Sipas Topallit, “Albtelekom i është shitur një miku të Kryeministrit Nano vetëm me një firmë të tij dhe kjo në shkëmbim të një vizite nderi që i është garantuar Nanos në Turqi”, tha Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›