E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve çon në Kuvend dy raporte

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Kjo është përpjekje e Kryeministrit për të vënë nën kontroll Gjykatën e Lartë. Presidenti i vendit ka guxuar të dalë jashtë gardhit të Berishës. Kjo ka ndodhur, kjo është herezia”, - tha Xhafaj

Emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të dekretuar tashmë nga Kreu i Shtetit, Bamir Topi, do të votohen në seancë plenare. Komisioni i Ligjeve kaloi dekretet pa shqyrtuar emër për emër kandidaturat e propozuara. Debati i ashpër në këtë komision u përqendrua tek procedurat dhe jo tek kandidaturat konkrete. Opozita këmbënguli në qëndrimet e saj se janë shkelur të gjitha procedurat dhe afatet ligjore për këto dekrete, por ndërkohë kërkoi diskutimin emër për emër të kandidaturave dhe më pas votimin për to. Ndërkohë që mazhoranca u përqendrua në debatin procedural. Kreu i Komisionit, Fatos Beja, pohoi se në mbështetje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, komisioni po respekton ligjin dhe institucionet. Por nënkryetari socialist i Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se nuk nuk po mbrohen institucionet, por Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Pas debateve të gjata, mazhoranca në komision votoi propozimin e Bejës për t u paraqitur në seancë me dy raporte. Kreu i komisionit sqaroi pas mbledhjes se do të jetë Kuvendi ai që do të përcaktojë nëse do të votohen raportet apo dekretet. Në rastet e mëparshme Kuvendi ka shprehur pëlqimin ose mospëlqimin e tij për dekretet e Presidentit nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë të këtyre dekreteve. Ndërsa Xhafa theksoi se me votimin e djeshëm mazhoranca pohon se presidenti Bamir Topi ka shkelur Kushtetutën.
Debatet
Komisioni i Ligjeve ka nisur me debate mbledhjen e tij për dekretet e Presidentit lidhur me anëtarët e Gjykatës së Lartë. Fillimisht debati është përqendruar për praninë ose jo të medias. Me hedhjen në votim, 9 deputetë votuan për seancë të hapur, ndërsa tetë deputetë të Partisë Demokratike votuan kundër. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, abstenoi, ndërsa deputeti Tom Doshi votoi për një seancë të hapur. Ndërkohë që mungesa e dy anëtarëve të Partisë Demokratike dhe zëvendësimi i tyre pas fillimit të mbledhjes me dy deputetë të tjerë, ka qenë një tjetër arsye debatesh mes deputetit të LSI-së, Spartak Braho, dhe kreut të Komisionit, Beja. Braho ka vazhduar më pas me kritikat për procedurat dhe vonesat e kalimit të dekreteve. Ai theksoi se kryeparlamentarja solli dekretet në Komisionin e Ligjeve vetëm pas presionit të ndërkombëtarëve. Lidhur me kandidaturat ai tha se janë të bazuara në ligj dhe është pro tyre. Në të njëjtën linjë vazhdoi dhe deputeti socialist Pandeli Majko, i cili kërkoi shpjegime se përse dekretet që kanë ardhur në komision përkatësisht më 12 dhe më 22 maj u diskutuan vetëm dje. “Në bazë të rregullores dekretet duhet të shqyrtohen brenda një jave në Komisionin e Ligjeve dhe brenda dy javëve duhet të shqyrtohen nga Parlamenti”, - tha ai. Nënkryetari i komisionit, Xhafaj, ashpërsoi edhe më tej tonin duke pohuar se deputetët janë në Kuvend për të mbrojtur institucionet dhe jo emra të veçantë si Jozefina Topalli. “Këtu nuk është çështje emrash, por parimesh dhe marrëdhëniesh mes mazhorancës dhe gjyqësorit. Kjo është përpjekje e Kryeministrit për të vënë nën kontroll Gjykatën e Lartë. Mazhoranca nuk e bëri këtë debat kur i emërua kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i vendit ka guxuar të dalë jashtë gardhit të Berishës. Kjo ka ndodhur, kjo është herezia”, - tha ai. Ndërkohë që deputeti i mazhorancës, Ramiz Çoba, deklaroi hapur votën e tij kundër dekreteve duke pohuar se presidenti Topi ka shkelur procedurat. Emrat e rinj për Gjykatën e Lartë janë Kristaq Traja, Altina Shoxhaj, Medi Bici, Artan Zeneli e Zamir Poda.

Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›