Komisioni i Ligjeve jo prostitucionit

Komisioni i Ligjeve i ka thënë jo propozimit të komisionerit kundër diskriminimit, Irma Baraku për legalizimin e ushtrimit të prositucionit. Komisioneri kishte propozuar që të shfuqizohej neni 113 i Kodit Penal, i cili thotë se ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Relatorja e amendimeve që po i bëhen Kodit Penal, deputetja socialiste, Ermonela Felaj, por edhe Ministria e Drejtësisë, shfaqën në parim dakort qëndrimin për liberalizimin e prostitucionit, por në këtë kohë dhe në kushtet tona kjo është ende e pamundur. Madje ka dhe vende të BE-së që pasi e kanë dekrimializuar ushtrimin e prostitucionit e kanë rikthyer sërish në legjislacion si vepër penale.
Por ajo që deputetët e Komisionit të Ligjeve amenduan me konsensus ishte shtimi i një paragrafi të ri tek neni 113 i Kodit Penal, i cili tashmë do të parashikojë gjobën ose dënimin deri në tre vite burg edhe të klientit.
Ndërsa tutori sipas formulimit të nenit 114, dënohet me gjobë gjer në 5 vite burg për shtytje, ndërmjetësim, dhënia ose marrje shpërblim për ushtrimin e prostitucionit.
Komisioni i Ligjeve miratoi disa amendamente të tjera, dhe një pjesë tjetër i shtyu, kryesisht ato që kanë të bejnë me dhunën në familje, mes bashkëshortëve ose asaj ndaj fëmijëve. Këto nene do të rifomulohen në një formë me të cilën të gjitha palët të bien dakort.
Neni 113
Prostitucioni
- Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
- ( I RI)Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet
Neni 114
Shfrytëzimi i prostitucionit
Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.