Kryeministri ne mbledhjen e ligjvenesve demokrate i kunderpergjigjet Rames per reformat
“U bë punë e pandërprerë ku dhë vetë komunitetit dha një ndihmë të jashtëzakonshme të gjitha njësive të emergjencave. Gjendja e emergjencave ka rënë nuk ka më intensitet, por ajo do të vazhdojë deri sa të kemi një numër krejtësisht të vogël të komunave të bllokuara për t’ua lënë në dorë më pas autoriteteve vendore menaxhimin e situatës. Kaskadat janë në nivelet më të ulta të prurjeve, vazhdon eksporti i energjisë. Kjo vështirësi do të jetë e përkohshme, do të bëjmë çështë e mundur për furnizimin me energji”, vuri në dukje Berisha.
Por duke iu kundërvënë deklaratave të opozitës, kryeministri Berisha i rikujtoi lidershipit socialist një seancë në parlamentin evropian.
“Në një seancë në parlamentin evropian në vitin 2002, një europarlamentar u shpreh se: këta nuk kanë energji, jetojnë gjysmën e ditës pa drita, këta s’kanë ujë që të lahen, ç’punë kemi ne me ta. Ky tha një të vërtetë, për atë kohë. Ndërsa tani, vërtet që nuk jemi të vetëmjaftueshëm për prodhimin e energjisë, por ne do të blejmë dhe më shtrenjtë për të bërë të mundur furnizimin me energji. Kujtojmë që këtë vit hyjnë në prodhim një seri HEC-esh që do të bëjnë të mundur plotrësimin e nevojave”, deklaroi Berisha.
Reforma parlamentare
“Me 20 shkurt, Edi Rama mashtroi shqiptarët, rreshtoi një seri akuzash ndaj PD-së se ka bllokuara reformat. Ndryshimi i Rregullores së Parlamentit u bllokua që në mbledhjen e parë. Rama që në verë kërkoi kufizimin e kohës së Kryeministrit në foltoren e parlamentit, në kundërshtim me çdo Kushtetutë të çdo vendi demokratik”, u shpreh kryeministri berisha, lidhur me akuzën e kreut Rama për bllokim nga ana e PD-së të reformave.
Madje, duke shkuar më tej kreu i ekzekutivit shtoi se “Rama duke kuptuar qartë se shqiptarët nuk kanë ndërmend ta bëjnë ndonjëherë Kryeministër gjen si zgjidhje t’i shkurtojë kohën Kryeministrit. Absurde. Ai nen i Kushtetutës është vendosur nga mazhoranca socialiste e nuk është prekur. Nuk është mëkat i Kushtetutës që i jep Kryeministrit si çdo Kushtetutë tjetër fjalën kur ai do të flasë në parlament”.
Njëkohësisht, Berisha u ndal dhe tek një pikë tjetër e kësaj reforme. “Zotërinjtë para marrëveshjes kërkonin që 60 minutëshi të ishte në fillim që të bllokonin parlamentin, por kjo nuk mund të përsëritet më. Parlamenti është për të miratuar ligje, por jo për të bllokuar. Raportet ndërkombëtare kanë vlerësuar si akt pozitiv”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, referuar votimeve të dekreteve kryeministri sqaroi se “kërkojnë që në një rast unik në botë dekretet të votohen fshehtas. Ato janë akte ligjore nuk ndodh kurrë që të votohen fshehtas. Të përmbyshësh normat për të cilat nuk u pranuan para se të firmosnin marrëveshjen. Ata ranë dakort që komisioni të punojë tërësisht duke sjellë në përputhje të plotë rregulloren e parlamentit me atë të PE. E firmosën e votuan dhe tani thotë janë bllokuar reformat sepse do të thotë me çdo kusht se në Shqipëri nuk po ecin reformat”.
Reforma zgjedhore
Kryeministri, Berisha në mbledhjen e grupit duke iu kundërpërgjigjur lidershipit socialist për bllokim të punës për hartimin e reformës zgjedhore, bëri me dije se “PS as në komision as në grupin e ekspertëve nuk kanë paraqitur asnjë amendament të vetëm që nuk është shqyrtuar”.
Njëkohësisht, kreu i mazhorancës sqaroi në detaje lidhur me një çështje të tillë.
“Çfarë po bën? Gjer tani kanë propozime: vetëm dënime, dënime dënime. Padiskutim që do ketë penalitete. As nuk e kemi bllokuar, jemi tërësisht të hapur për reformën. Përpjekja për të mashtruar qytetarët shqiptarë, për t’u paraqitur si i interesuar për reforma kur vetë i bllokon, është përpjekje qesharake. Asgjë nuk do mund të kushtëzojë. Ne i ofruam zotërisë së tij të drejtën për të hartuar legjislacionin ta çojë në OSB/ODIHR, për ta votuar në parlament, e hodhi poshtë se di që fitore nuk ka në horiziont, sepse nuk do të mundet të akuzonte më. Por ultimatumi dhe kushti nuk i funksionon me mua”, deklaroi Berisha. Sipas tij, frika e Ramës lidhet me vlerësim pozitiv për statusin.
“Zoti e ruajtë Shqipërinë nga shqiptarët- shkruante Faik Konica, por ai nuk ka pasur parasysh popullin shqiptarë, por individë të tillë. Vetë bërtet vetë bllokon”, shtoi Berisha.
Gadishmëria
“Ne mbetemi të hapur. Jemi të gatshëm të zbatojmë pikë për pikë përcaktimet e ODIHR, pa asnjë hezitim. Të përshtasim Rregulloren e Parlamentit me atë të PE-së. Jemi të hapur të bashkëpunojmë brenda parimeve dhe ligjeve të këij vendi me opozitën në interesin më të mirë. Koncepti i tyre se votimin e ligjeve se bëjmë për Sali Berishën, është shumë i vjetër, i përket asja kohe kur qytetarët shumëzoheshin me zero. Detyrimin s’e ke me ne, e ke me ata. Të faktuan me 8 maj se cili ishte vendimi i tyrë, do ta faktojnë prapë në 2013-ën. Kjo është: je i vetmi në historinë Ballkanit e të Europës që bllokon reformat që duhen për integrimin e vendit”, vuri në dukje kryeministri Berisha, duke garantuar kështu gadishmërinë e mazhorancës së kryesuar prej tij për realizimin e reformave.