Komisioni i Ligjeve kalon projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi ditën e djeshme projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Ky projektligji, i hartuar dhe i propozuar nga qeveria, ka si synim vendosjen në bazat e duhura ligjore të luftës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Deputetët e opozitës kanë shfaqur rezerva në lidhje me mënyrën e implementimit të këtij projektligji. Sipas tyre, drafti lë hapësira për abuzime me termin terrorizëm pasi në të ka subjektivizëm i cili mund të keqpërdoret nga strukturat shtetërore. Projektligji është hartuar edhe në ekspertizën e ekspertëve të Bashkimit Europian. “Masat parandaluese që duhet të ndërmerren nga institucionet financiare dhe ato jofinanciare, për të parandaluar përdorimin e dëmshëm të këtyre subjekteve në veprimtaritë e pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit. Drafti identifikon subjektet raportuese të transaksioneve të vlerave dhe ato të dyshimta pranë autoritetit përgjegjës, kategoritë e klientëve, ndaj të cilëve subjektet duhet të tregojnë kujdesin e duhur, përcakton bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare dhe atyre të huaja në fushën e pastrimit të parave etj.”, - thuhet në relacionin e këtij projektligji. Tashmë ky projektligj do të kalojë në seancën plenare të radhës ku pritet që të ketë një debat mes opozitës dhe maxhorancës në lidhje me përmbajtjen e tij.
14 Maj 2008