Siguria e depozitave, kreu i ASD-së raporton para komisioneve parlamentare
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave diskutoi dje mbi raportin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2007. Drejtorja e Përgjithshme e ASD-së, Silvana Sejko, u shpreh se gjatë vitit 2007 totali i depozitave arriti në 621 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 18 përqindësh krahasuar me vitin 2006. Sejko u shpreh se, “depozitat e individëve arritën shumën 491 miliardë lekëve, duke përbërë 79 për qind të totalit të depozitave”. Sipas Sejkos, pjesën më të madhe të depozitave e zënë depozitat në lekë, dhe vetëm 39 për qind e depozitave janë në valutë.
Banka e Shqipërisë boton guidë për llogaritë bankare
Banka e Shqipërisë duke e konsideruar publikun si një hallkë të rëndësishme në procesin e përçimit të vendimeve të saj, ka publikuar dje botimin më të ri të saj me titull “Një guidë drejt llogarisë tuaj bankare”. Përmes këtij botimi ekspertët bankarë shpjegojnë rëndësinë e hapjes së një llogarie bankare, të cilin e këshillojnë si një veprim që duhet kryer nga të gjithë, në momentin kur fillojmë të përfitojmë të ardhura, në mënyrë që të kursejnë me anë të një llogarie bankare. Guida shpjegon me detaje lehtësisht të kuptueshme nga lexues të moshave dhe niveleve të ndryshme, të gjitha rrugët dhe mundësitë që duhen ndjekur për të hapur një llogari bankare të sigurt dhe të përshtatshme. Ajo i shtohet serisë së botimeve edukative me tema të ndryshme, që ka publikuar BSH-ja.
14 Maj 2008