Ministria e Financave nis marrjen e masave kundër krizës globale
Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, tha dje në konferencën e përbashkët për shtyp me FMN-në dhe Bankën e Shqipërisë, se “ekonomia shqiptare është nën presionin inflacionist, por do të merren masa dhe politika fiskale dhe monetare, për të ruajtur inflacionin në nivelet e parashikuara”. Sipas tij, nga analiza e situatës fiskale, është rënë dakord që të ketë një buxhet shtesë këtë vit, i cili kryesisht do të jetë nga tejkalimet e të ardhurave dhe rialokimet e mundshme në shpenzimet e buxhetit. “Ne diskutuam me misionin e FMN-së për rreziqet e mundshme dhe do të vazhdojmë t'i konsiderojmë ato duke marrë masat me qëllim që të kenë efekte minimale mbi popullsinë. Kur flasim për masa, kemi parasysh të gjithë politikat fiskale dhe monetare”, - tha Shehu. Ai u shpreh se, për sa i përket politikave fiskale, deri tani nuk kanë nxitur asnjë presion, përkundrazi kanë mbrojtur rritjen e inflacionit. “Kemi rënë dakord me FMN-në për ruajtjen e deficitit vjetor në nivelin prej 5.2 për qind të PBB-së. Krahas rritjes së pagave dhe pensioneve nga fondi i kontingjencës, do të ketë rritje të përfitimeve për shtresat që trajtohen me ndihmë ekonomike”, - tha Shehu.
14 Maj 2008