Komisioni i Ligjeve nis diskutimin e projektligjit për të huajt
Komisioni i Ligjeve ka nisur ditën e djeshme diskutimin e projektligjit “Për të huajt”, i përgatitur nga qeveria, i cili përcakton të gjitha procedurat legale, që të huajt ndjekin në Shqipëri për qëndrimin e tyre, si dhe mënyrat e shtetit shqiptar për të vepruar ndaj të huajve në çdo situatë. Në bazë të projektligjit për të huajt, Policia Kufitare dhe e Migracionit kanë të drejtë të kontrollojnë dhe të hyjnë në ambientet private të të huajve, në rast se ekzistojnë dyshime të bazuara. Gjatë kontrollit, policia kërkon dokumentet e udhëtimit, lejen e qëndrimit ose dokumentin e identifikimit. Po kështu, policia ka të drejtë të shoqërojë në rajonin e policisë të huajin, i cili nuk disponon dokument identifikimi, lejen e qëndrimit, dokumentin e udhëtimit, ose ndonjë dokument tjetër që provon identitetin e tij dhe është brenda afatit të vlefshmërisë. Policia Kufitare dhe ajo e Migracionit transportojnë të huajt, për të cilët ka një urdhër largimi për në pikën e kalimit kufitar, ose në një institucion shëndetësor për të marrë trajtim mjekësor. Gjatë kontrollit, nëse vëren mungesë të dokumentacionit, policia merr masa për kthimin e të huajve të parregullt për në vendin e destinacionit. Autoritet policore, në bazë të këtij ligji, kanë kompetencë që të marrin masa, që i huaji i ndaluar të paraqitet përpara gjykatës, apo të shoqërojë atë në përfaqësinë diplomatike ose konsullore, me synim zhvillimin e intervistës së kërkuar për të siguruar dokumente udhëtimi dhe e kthen atë në institucionin ku zbatohet ndalimi.