E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet numri i personave me pasaportë diplomatike

Qeveria shqiptare hap dritën jeshile për pajisjen e më shumë personave me pasaportë diplomatike. Në një vendim të djeshëm të qeverisë shqiptare, me kërkesë të ministrit së Ministrisë së Jashtme, u bënë ndryshime në ligjin e vitit 1997 për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit. Tanimë, titullarët e institucioneve qendrore që janë në varësi të Këshillit të Ministrave kanë të drejtë që të pajisen me pasaportë diplomatike, ashtu sikundër edhe kategori të tjera. Në bazë të ligjit në fuqi, krerët e lartë të shtetit, deputetët, ambasadorët etj. janë ndër kategoritë më përfituese nga e drejta e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi. Ndërkaq me ligjin e ri edhe çdo titullar institucioni qendror ose administrativ që varet nga Këshilli i Ministrave apo Kryeministri do të ketë mundësinë direkte për të dalë jashtë shtetit pa pasur nevojë për një vizë. Në relacionin shoqërues të këtij vendimi thuhet se synohet pajisja me pasaporta shërbimi të funksionarëve të lartë të institucioneve shtetërore qendrore në varësi të KM-së, të cilët nuk janë përfshirë në vendimet e mëparshme të miratuara nga qeveria për lëshimin e pasaportave dhe shërbimit duke marrë në konsideratë krijimin e tyre të mëvonshëm. Më tej, në relacion theksohet se përmes këtij vendimi synohet të krijohet një e drejtë e përgjithshme për të gjithë drejtuesit e lartë të institucioneve qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave duke shmangur në këtë mënyrë ndryshimet e shpeshta të vendimit nr. 335 që mund të nevojiten për shkak të krijimit të institucioneve të reja në varësi të Këshillit të Ministrave apo të Kryeministrit. Vendimi parashikon që propozimi i përfshirjes në kategorinë e përfituesve të pasaportave të shërbimit mbështetet në natyrën përfaqësuese të funksionit të tyre, i cili justifikon imunitetin që ofron pasaporta zyrtare. Pajisja me këtë lloj pasaporte do të lehtësojë lëvizjen e tyre duke i përjashtuar nga procedura e marrjes së vizave për ato vende, të cilat mbajtësit e kësaj pasaporte nuk kanë nevojë të marrin vizë. Relacioni i ardhur nga MPJ-ja vëren se ky lehtësim do të ndikonte në pjesëmarrjen e këtyre zyrtarëve në aktivitete jashtë vendit, brenda kompetencave të veprimtarisë së tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›