E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, marrëdhënie diplomatike me 6 shtete të reja

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me disa vende në Afrikë. Kështu, sipas disa vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë në mbledhjen e djeshme të saj, shteti shqiptar do të ketë marrëdhënie diplomatike me shtetet e Federuara të Mikronezisë, me Republikën e Ruandës, me Republikën e Kongos, me Antiguan, Barbudan dhe shtetin e pavarur, Papua Guinea e Re. Në relacionin shoqërues të këtyre vendimeve thuhet se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe këtyre shteteve ka si synim zhvillimin dhe thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh në fushat e rëndësishme politike, kulturore apo të turizmit. Ajo çfarë theksohet në këto relacione është se të gjitha shtetet janë anëtare të OKB-së dhe nisur nga kjo, është në interesin e vendit tonë që të ketë marrëdhënie me to, pasi edhe Shqipëria është pjesë e OKB-së.

LSI-ja, akuza Ramës për ujin në Tiranë

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi dje Bashkinë e Tiranës për mungesë reagimi ndaj çështjes së ujësjellësit të Tiranës, çka jo vetëm la pa ujë të pijshëm gjithë QSUT-në, por nga ky moskoordinim shumë zona të Tiranës janë pa ujë. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje se qyteti i Tiranës po përballet në këto ditë të një të nxehti të jashtëzakonshëm me një krizë të pashembullt të mungesës së ujit të pijshëm. “Kjo krizë e pashembullt e furnizimit me ujë nuk kurseu as Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të qendrës më të rëndësishme spitalore të vendit si dhe duke vënë në rrezik serioz shëndetin e të sëmurëve dhe kurimin e sëmundjeve të tyre si dhe duke bërë të pamundur ushtrimin e veprimtarisë së personelit mjekësor”, - tha Vasili.

Balla: Shqetësues refuzimi i vizave

Kryetari i Komisionit të Jashtëm pranë Asamblesë Kombëtare të selisë rozë, Taulant Balla, deklaroi dje se vendi ynë është një ndër vendet që i refuzohen më shumë vizat nga shtetet anëtare të BE-së, pavarësisht se ka hyrë në fuqi marrëveshja për lehtësimin e vizave. “Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave, me një mesatare rreth 23% të totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17%”, - tha Balla. Sipas tij, nga vëzhgimet e kryera nëpër konsullata të ndryshme, na rezulton se shqiptarët ende nuk kanë shpëtuar nga lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqesin dyerve të ambasadave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›