E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 47 milionë lekë për shpronësimet Rrëshen - Kalimash

Pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i rrugës Rrëshen - Kalimash, përfitojnë nga fondi i shpronësimeve vlerën e më shumë se 47 milionë lekëve të reja. Këshilli i Ministrave vendosi dje masën e dëmshpërblimit nga shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Rrëshen - Kalimash. Shpronësimi do tё bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për objekte me vlerë të përgjithshme 47 415 531 (dyzet e shtatë milionë e katërqind e pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një) lekë. Shpenzimet procedurale në vlerën 515 000 (pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Vlera e përgjithshme e shpronësimit që kap shifrën 47 415 531 (dyzet e shtatë milionë e katërqind e pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një) lekë, përballohet nga llogaria e veçantë, “Fondi i shpronësimeve”, e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë. Shpronësimi të fillojё më 30.6.2008 dhe tё përfundojë më 30.9.2008. Pronarët kompensohen, për efekt shpronësimi, me përfundimin e procesit të regjistrimit dhe pasi të kenë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugёve tё kryejë likuidimin e pronarëve, sipas dokumentacionit të pronësisë dhe hartave përkatëse, që do t’i vihet në dispozicion nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Mirditë.

Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe telekomunikacionit, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugёve dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Mirditë, për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›