E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca publikon 105 kandidatët për në Gjykatën e Lartë

Presidenca bën të ditur garuesit për 6 vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Në kuadër të transparencës së këtij procesi, ky institucion ka parë të udhës që të bëjë publikë të gjithë kandidatët para se Presidenti Topi të zgjedhë 6 prej tyre. Në listën e plotë ka emra të njohur, ish-ministra, ish-zv.ministra, ish-prokurorë të Përgjithshëm dhe ish-krerë gjykatash. Gjithashtu, ka juristë të cilët kanë një karrierë të gjatë në profesionin e tyre, ish--anëtarë të KLD-së apo gjyqtarë me karrierë të gjatë. “standard” boton listën e 105 emrave që kërkojnë të jenë anëtarë të Gjykatës së Lartë, që kanë paraqitur edhe CV e tyre në Presidencë. Ata pretendojnë se plotësojnë kriteret ligjore dhe kushtetuese për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë, një institucion tepër i rëndësishëm ose siç cilësohet nga juristët “maja e piramidës”. Gjithsesi, grupi i punës së Presidencë do të ketë mundësi tepër të gjëra për të zgjedhur në lidhje me pesë emrat që kërkohen për në Gjykatën e Lartë. Grupi i punës ka vendosur tashmë kriteret mbi bazën e të cilëve do të përzgjidhen emrat e rinj. Në ditët në vijim pritet që të dekretohen edhe emrat nga Presidenti, të cilët do të votohen në Kuvend nëse do të arrijnë të marrin mbi 71 vota deputetësh. Dy ditë më parë Grupi ka përzgjedhur kriteret më të rëndësishme, mbi të cilat duhet të bazohet kreu i shtetit për të përzgjedhur emrat e rinj. Por, në nëntë kriteret që grupi i punës ka cilësuar si të domosdoshme për këtë proces, nuk janë kriteret kryesore që kishte kërkuar Partia Demokratike, ndër të cilat ajo e moskandidimit të gjyqtarëve që ishin përfshirë në gjykime politike në kohën e komunizmit. Kjo ishte dhe një nga arsyet kryesore se pse PD-ja rrëzoi emrat e parë që solli Topi në Kuvend, ku njëri nga kandidatët ishte i përfshirë në gjykime politike në kohën e komunizmit. Arsyeja tjetër e rrëzimit ishte dhe fakti i moskunsultimit të Topit me Kuvendin para emërimit të kandidatëve. Ky konsultim sipas mazhorancës ishte sanksionuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Emrat dhe CV-të e kandidatëve për Gjykatën e Lartë

1. Arben Ristani - Gjyqtar për dy vjet, ish-këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës Alfred Moisiu, aktualisht anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor

2. Aleksandër Muskaj - Gjyqtar prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

3. Arjana Fullani - Gjyqtare për tre vjet, aktualisht Drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh, ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bashkautorë e tekstit “E drejta familjare”.

4. Agim Bendo - Ish-anëtar i KLD-së, specialist në Kuvendin Popullor për problemet juridike 1983-1992, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh, ka gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”.

5. Arben Rakipi - Gjyqtar për shtatë vjet, Prokuror i Përgjithshëm për pesë vjet, aktualisht avokat dhe pedagog i lëndëve penale në Shkollën e Magjistraturës.

6. Andi Çeliku - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh.

7. Astrit Kalaja – Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.

8. Artan Broci - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej dymbëdhjetë vjetësh, ka marrë titullin “Master” në Universitetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës.

9. Artur Selmani - Hetues për shtatë vjet, prokuror prej pesëmbëdhjetë vjetësh, aktualisht drejtor i Drejtorisë Gjyqësore të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, “Master” në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, ka botuar disa shkrime.

10. Admir Thanza - Gjyqtar për gjashtëmbëdhjetë vjet, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aktualisht gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

11. Arben Qeleshi - Gjyqtar për gjashtë vjet, aktualisht avokat prej shtatë vjetësh.

12. Agron Cami - Anëtar i Dhomës së avokatisë Tiranë 1993-2001 anëtar i Dhomës së avokatisë së Kalifornisë prej 2004, aktualisht është pronar e webmaster i gazetës “Kritika”.

13. Agron Zhukri - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej dymbëdhjetë vjetësh.

14. Artan Gjylbegaj - Jurist prej 22 vjetësh, gjyqtar për pesë vjet në Gjykatën e Rrethit Elbasan, Kryeregjistrues për dy vjet, aktualisht avokat prej tre vjetësh.

15. Ariana Liço - Gjyqtare prej katërmbëdhjetë vjetësh në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.

16. Artan Tabaku - Jurist prej njëzetekatër vjetësh, pesë vjet hetues në hetuesinë e Rrethit Elbasan, tre vjet Këshilltar Ligjor i Ministrit të Mbrojtjes, dy vjet drejtor i Drejtorisë së Cilësisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Privatizimit, aktualisht drejtor në Drejtorinë Juridike, Burimet Njerëzore dhe Kërkimi Shkencor në KLD, ka marre titullin «Doktor i Shkencave Juridike», Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

17. Adnand Kosova - Hetues në Hetuesinë e Rrethit Korçë për pesë vjet, Drejtor i Prokurorisë së Rrethit Korçë për gjashtë vjet, Inspektor në Inspektoratin e KLD-së për pesë vjet.

18. Avni Shehu - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mirditë për 4 vjet, anëtar në Gjykatën e Lartë Tiranë për njëmbëdhjetë vjet brenda së cilave ka qenë zv.kryetar dhe kryetar i Gjykatës së Lartë, ish anëtar i KLD-së për katër vjet, ka marre titullin «Doktor në Drejtësi», Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, autor tekstesh dhe artikujsh juridike.

19. Anila Kristani - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej dymbëdhjetë vjetësh.

20. Ariana Caco (Gumbardhi) - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej katërmbëdhjetë vjetësh.

21. Ahmet Jangulli - Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Bulqizë për dymbëdhjetë vjet.

22. Anastas Duro - Prokuror për tetëmbëdhjetë vjet në Prokurorinë e Rretheve Gjirokastër dhe Mat, ish zv.ministër i Drejtësisë, aktualisht avokat.

23. Adnand Xhelili - Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej katërmbëdhjetë vjetësh.

24. Bashkim Çami - Gjyqtar për tetëmbëdhjetë vjet, aktualisht avokat prej shtatë vjetësh.

25. Bujar Sheshi - Prokuror për dhjetë vjet, aktualisht prokuror pranë Gjykatës së Lartë prej pesë vjetësh.

26. Besnik Çollaku - Avokat për dhjetë vjet, aktualisht noter prej tetë vjetësh, autor i disa artikujve.

27. Besnik Kaçurri - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier për tetë vjet, Kryetar Gjykate për katër vjet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Skrapar, aktualisht avokat.

28. Bashkim Dedja - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për tre vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës prej dhjetë vjetësh.

29. Bardhul Dhama - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit gjyqësor Elbasan për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për krime të Rënda Tiranë prej katër vjetësh.

30. Bashkim Caka - Hetues në Hetuesinë e Rrethit Lushnje për shtatë vjet, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-deputet, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë prej dy vjetësh, autor tekstesh dhe artikujsh juridike.

31. Dalip Bushi - Gjyqtar prej njëzetenëntë vjetësh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

32. Dëshire Subashi - Një vit gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjyqtare e Apelit për dhjetë vjet, anëtare e KQZ-së.

33. Evelina Qirjako - Avokate prej nëntëmbëdhjetë vjetësh.

34. Elta Milori – Juriste për tetë vjet në Ministrinë e Punës, Emigracionit dhe Përkrahjes Sociale dhe Ministrinë e Drejtësisë, aktualisht ndihmëse ligjore e Kryetarit të Gjykatës së Lartë prej tetë vjetësh, ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

35. Edmond Islamaj – Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë për katër vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë prej pesë vjetësh.

36. Etleva Temo – Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec prej pesëmbëdhjetë vjetësh.

37. Elida Take – Gjyqtare për trembëdhjetë vjet, notere në Dhomën e Noterisë Tiranë prej dhjetë vjetësh.

38. Fiqrete Mullai – Gjyqtare prej njëzetenjë vjetësh, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

39. Fatmira Luli (Bileri) – Gjyqtare për shtatë vjet, zëvendësdrejtore e Shkollës së Magjistraturës për shtatë vjet, aktualisht avokate, bashkautorë në disa libra dhe artikuj juridikë.

40. Fatos Dervishi – Hetues për pesë vjet, ish-Zëvendësprokuror i Përgjithshëm, avokat në SHBA prej dhjetë vjetësh.

41. Flutura Kona – Kryetare e Arbitrazhit Shtetëror Durrës për pesëmbëdhjetë vjet, Avokate e Përgjithshme e Shtetit për tre vjet, aktualisht avokate.

42. Fatos Qato – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë prej pesëmbëdhjetë vjetësh.

43. Fatmir Tartale – Hetues në Tiranë për gjashtëmbëdhjetë vjet, zëvendësdekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT për një vit, aktualisht pedagog në Universitetin Publik, në Akademinë e Policisë, si dhe në universitete private, ka marrë titullin “Doktor i Shkencave Juridike”, Universiteti i Tiranës.

44. Fatmir Gjika – Gjyqtar për një vit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, gjyqtar për katër vjet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, aktualisht avokat prej njëmbëdhjetë vjetësh.

45. Fuat Vjerdha – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër për dymbëdhjetë vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër prej tre vjetësh.

46. Fariz Xhuxhi – Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Krujë për dymbëdhjetë vjet, zëvendësprokuror rrethi në Prokurorinë e Rrethit Mat për tre vjet, aktualisht avokat prej nëntë vjetësh.

47. Fida Osmani – Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër për dhjetë vjet, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej dhjetë vjetësh.

48. Flora Hajredinaj – Gjyqtare në Gjykatave të Rretheve Dibër, Tropojë për dhjetë vjet, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë prej katër vjetësh.

49. Guxim Zenelaj – Gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së.

50. Gjovalin Përnoca – Gjyqtar prej trembëdhjetë vjetësh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar dhe Kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë.

51. Gjet Kola – Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Kukës për pesë vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh.

52. Gjin Gjoni – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë prej katërmbëdhjetë vjetësh.

53. Hysni Demiraj – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër prej trembëdhjetë vjetësh.

54. Hanëme Bakija – Gjyqtare për shtatëmbëdhjetë vjet, aktualisht avokate prej katërmbëdhjetë vjetësh.

55. Hysen Keta – Prokuror prej njëmbëdhjetë vjetësh, aktualisht prokuror në Drejtorinë e Hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme prej shtatë vjetësh.

56. Hajrie Muçmata – Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës prej trembëdhjetë vjetësh.

57. Hasan Selimi – Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër prej trembëdhjetë vjetësh.

58. Irena Kedhi – Hetuese në Hetuesinë e Përgjithshme për dhjetë vjet, aktualisht avokate prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh.

59. Ilir Shurdhi – Këshilltar Juridik në Kuvendin e Shqipërisë për katër vjet, aktualisht këshilltar gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese.

60. Jak Ndoka – Kryetar Gjykate për trembëdhjetë vjet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhe, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

61. Juliana Latifi – Gjyqtare për një vit në Gjykatën e Rrethit dhe Gjykatën e Apelit Tiranë, pedagoge për nëntë vjet në Fakultetin e Drejtësisë në UT, lektore për katër vjet në Shkollën e Magjistraturës, lektore pranë Shkollës Pasuniversitare për Studime Evropiane UT prej shtatë vjetësh, aktualisht zëvendësdekane e Fakultetit të Drejtësisë “Justiniani 1” prej një viti, ka marrë titullin “Doktori i Shkencave Juridike”, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, autore e disa teksteve dhe artikujve juridikë.

62. Kostika Çobanaqi - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat prej trembëdhjetë vjetësh.

63. Kristofor Peçi - Ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

64. Lefter Jahaj - Gjyqtar prej njëzetegjashtë vjetësh, aktualisht Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë prej katërmbëdhjetë vjetësh.

65. Luan Dervishi - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tepelenë për tre vjet,Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Librazhd për katër vjet, aktualisht Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër prej një viti.

66. Luan Daci - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 4 vjet, aktualisht avokat prej njëmbëdhjetë vjetësh.

67. Luljeta Xhixho (Spahiu) - Avokate për pesë vjet, aktualisht notere në Tiranë prej dhjetë vjetësh.

68. Metush Saraçi -Ish-anëtar në Gjykatën e Lartë Tiranë, ish anëtar i Gjykatës Kushtetues për dy vjet, aktualisht kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë prej një viti.

69. Musa Breçani -Gjyqtar për katërmbëdhjetë vjet, aktualisht avokat prej nëntë vjetësh.

70. Musa Halili(Gerxhari) - Gjyqtar prej njëzet e shtatë vjetësh.

71. Mimoza Arbi - Prokurore për dy vjet, aktualisht avokate prej dymbëdhjetë vjetësh.

72. Mariana Shegani (Dedi) - Gjyqtare në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh, bashkautorë tekstesh.

73. Mariana Semini (Tutulani) - Pedagoge pranë Shkollës së Magjistraturës prej njëmbëdhjetë vjetësh, ka marrë titullin «Profesor i Asociuar» në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bashkautorë e disa teksteve universitare dhe artikujsh shkencore.

74. Marina Raboshta - Gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër prej trembëdhjetë vjetësh.

75. Martin Deda - Hetues në Prokurorinë e Rrethit Tiranë për dhjetë vjet, zv.kryetar gjykate i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për pesë vjet, ish anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

76. Maksim Dako - Gjyqtar ushtarak në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë për gjashtëmbëdhjetë vjet, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë prej katërmbëdhjetë vjetësh.

77. Maringlen Rrapi - Hetues për njëzet e një vjet, prokuror për tre vjet, aktualisht noter prej njëmbëdhjetë vjetësh, autor tekstesh juridikë.

78. Majlinda Andrea - Gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

79. Neshat Fana - Ka punuar në organin e prokurorisë për 11 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh, “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

80. Nertina Kosova - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan për gjashtë vjet, aktualisht Gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë prej katër vjetësh.

81. Nure Dreni - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës për dhjetë vjet, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

82. Parashqevi Ademi - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë prej dymbëdhjetë vjetësh.

83. Prel Martini - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër për pesë vjet, kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë për pesë vjet, aktualisht avokat prej shtatë vjetësh.

84. Përparim Sanxhaku - Specialist në Hetuesinë e Përgjithshme për nëntë vjet, avokat prej katërmbëdhjetë vjetësh, ish-zëvendësministër i Drejtësisë, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht avokat.

85. Pajtim Hoxha - Gjyqtar prej nëntëmbëdhjetë vjetësh, ish-anëtar i KLD- së, aktualisht Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë prej katër vjetësh, ka titullin “Doktor i Shkencave Juridike”.

86. Petraq Çurri - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë për pesë vjet, avokat prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh, aktualisht pedagog i brendshëm pranë Fakultetit Juridik Vlorë, autor i disa librave juridike.

87. Pranvera Strakosha - Ish-anëtare e KLD-së, ish-gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Tiranë për dhjetë vjet.

88. Qani Hasa - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan prej trembëdhjetë vjetësh.

89. Roland Përmeti - Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Krujë për katër vjet, hetues në Hetuesinë e Tiranës për shtatë vjet, avokat për shtatë vjet, Kryetar i Komisionit të Shërbimit Civil për pesë vjet, aktualisht lektor pranë fakultetit juridik “Justiniani 1”.

90. Roland Mici - Avokat prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh.

91. Rexhep Bekteshi - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës prej pesëmbëdhjetë vjetësh dhe aktualisht zv.kryetar i Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Durrës.

92. Sinan Tafaj - Avokat prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh, ka marrë titullin “Doktor i Shkencave Juridike”.

93. Skënder Demiraj - Prokuror për njëzet e nëntë vjet, aktualisht avokat.

94. Vangjel Kosta – Ish-anëtar në Gjykatën e Lartë, Pedagog në Shkollën e Magjistraturës prej tetë vjetësh.

95. Valdete Hoxha - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Malësisë së Madhe për gjashtë vjet, Gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër për katër vjet.

96. Valbon Çekrezi - Kryetar Gjykate në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan për gjashtë vjet, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës prej shtatë vjetësh.

97. Valentina Sadiraj - (Gjyqtare prej njëzet e gjashtë vjetësh, aktualisht Gjyqtare në Gjykatën e Apelit Durrës prej dhjetë vjetësh.

98. Violanda Theodhori (Donato) - Juriste prej njëzet vjetësh, Këshilltare e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, aktualisht Drejtore e Departamentit të Çështjeve Juridike në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

99. Vexhi Muçmataj - Ish-anëtar i KLD-së, Prokuror prej trembëdhjetë vjetësh, aktualisht prokuror në Prokurorinë e rrethit Tiranë.

100. Vjollca Meçaj - Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat për shtatë vjet, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese, aktualisht avokate.

101. Vasil Bendo - Jurist në administratën publike për shtatëmbëdhjetë vjet, aktualisht avokat prej tetë vjetësh, ka botuar disa artikuj juridike.

102. Vangjush Kallço - Gjyqtar prej njëmbëdhjetë vjetësh, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, ish-kryetar i kësaj gjykate.

103. Xhelal Elezi - Gjyqtar prej trembëdhjetë vitesh, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

104. Zef Nikaj - Gjyqtar për dymbëdhjetë vjet, ish-anëtar i Gjykatës së Kasacionit, aktualisht avokat prej tetë vjetësh.

105. Zamir Moçka (Stefani) - Hetues për dhjetë vjet, Gjyqtar për dymbëdhjetë vjet, aktualisht Drejtor i Drejtorisë Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka marrë titullin “Master” dhe “Doktor” në Universitetin Leibniz, Milano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›