Paga minimale, 17 000 mijë lekë në muaj
Qeveria rrit pagën minimale në shkallë vendi nga 16 mijë lekë në 17 mijë lekë në muaj. Në bazë të vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, duhet të jetë 17 000 (shtatëmbëdhjetë mijë) lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ndërkohë që paga bazë minimale orare të jetë 98 (nëntëdhjetë e tetë) lekë dhe shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë. Ky vendim i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2008. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht 50 për qind mbi pagën bazë. Duke llogaritur këto shtesa paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 25 mijë lekë në muaj. Sipas relacionit të paraqitur nga ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, është propozuar që paga minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik dhe fizik, të rritet nga 16 mijë lekë në 17 mijë lekë. Barka sqaron përmes relacionit se duke pasur parasysh që kjo është rritja e dytë brenda afatit njëvjeçar del se paga minimale në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritet 21.4 për qind. Ministri Barka bën të qartë se paga minimale prej 17 mijë lekësh në muaj është në nivelin e minimumit jetik për një të punësuar, pra me këtë rritje edhe paga e punonjësve që punojnë në punët më të thjeshta dhe janë fillestarë në punë është mbi minimumin jetik për një të punësuar. Është parashikuar edhe paga orare në masën 98 lekë me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës. Në sektorin publik dhe veçanërisht atë buxhetor, caktimi i pagës minimale ka ndikim në sistemin e pagave, por me vendosjen e sistemit të pagave sipas strukturës së shërbimit civil për të gjithë administratën publike, është ulur ndjeshëm ndikimi që ka rritja e pagës minimale në nivelet e tjera të pagave, duke krijuar fleksibilitet më të madh në përcaktimin e pagës minimale.