E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sot votohet drafti për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të fshehtë

24/02/2005  Ndoka e Cako kërkojnë votimin me zë prej deputetëve

Deputetët do të votojnë sot, në seancë plenare, projektligjin e paraqitur nga një grup deputetësh për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të fshehtë, të cilët janë të punësuar në administratë, apo janë deputetë. Në një prononcim të tij, reformatori Nard Ndoka tha se për votimin e këtij drafti do të kërkohet që të gjithë deputetët të shprehen nominalisht me zë për votën e tyre kundër ose pro. "Në këtë mënyrë do të dalë se cilët janë realisht bashkëpunëtorët e sigurimit të fshehtë të periudhës se diktaturës", tha Ndoka. Projektligji në fjalë kërkon që ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit të mos jenë të punësuar në administratën e lartë shtetërore. Ndërsa është saktësuar se kandidatët për deputetë, për kryetar bashkie dhe komune, duhet të deklarojnë para se të votohen nëse kanë qenë ose jo në shërbimin e fshehtë gjatë diktaturës komuniste. Për ata që do të konkurrojnë, do të hapet dhe dosja përkatëse në SHISH. Megjithatë, duke parë se përfshirja dhe e administratës në këtë draft mund të sjellë reagime të ashpra në publik, iniciatorët thonë se drafti mund të ketë rregullime të mëtejshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›