Qeveria ashpërson masat ndaj vjedhësve të energjisë dhe impulseve telefonike
Shaban Sulçe
Të gjithë personat që do të kapen duke vjedhur energjinë elektrike apo impulset telefonike tashmë nuk do të dënohen me gjoba, por me kryerje dënimi në burg. Ky ka qenë vendimi më i fundit i qeverisë, e cila duket se ka vendosur të ashpërsojë masat sanksionuese ndaj personave që kryejnë veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike ose impulseve telefonike. Këto sanksione janë zyrtarizuar në propozimin e projektligjit të bërë nga Këshilli i Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin numër 7895, datë 27.1.1995 ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”. Shkak i ashpërsimit të kësaj mase duket se është bërë mungesa e efekteve parandaluese të kësaj vepre, për llojin e dënimit që ishte deri pak kohë më parë, vendosja e gjobës. Duke sanksionuar dhënien e dënimit me burg, hartuesit e këtij projektligji shpresojnë në reduktimin e veprave penale, për vjedhjen e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike.
Relacioni
Në relacionin shoqërues të këtij projektligji thuhet se vepra penale e “lidhjes së paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike” nuk do të cilësohet më si kundërvajtje, por si krim dhe sanksioni penal i saj do të jetë dënim me burgim. Ndërsa përsa i takon “vjedhjes së energjisë elektrike ose impulseve elektrike”, e cila aktualisht përbën krim, propozohet që të ndryshojë vetëm sanksioni, ndërmjet heqjes së dënimit kryesor, me gjobë dhe të parashikohet vetëm dënimi me burgim. Në relacion theksohet se ndryshimet synojnë parandalimin e këtyre veprave penale dhe dhënien e drejtësisë sa më efektive dhe në kohën e duhur. Duke iu referuar statistikave konstatohet se numri i këtyre veprave penale ka pësuar rritje, megjithëse janë kryer një sërë procedimesh penale, të përfunduara me vendime gjyqësore fajësie. Nga analizimi i statistikave në raport arrihet në konkluzionin se mungesa e efekteve parandaluese nuk e ka bazën në mjetet procedurale të hetimit dhe gjykimit të këtyre çështjeve, por tek lloji i dënimit. Dënimi me gjobë i dhënë si rregull për këtë kategori çështjesh nga gjykatat, jo vetëm që nuk është efektiv, por vonon ekzekutimin e dënimit penal (sepse gjoba vilet zakonisht me ekzekutim të detyrueshëm) dhe, në një pjesë të mirë të rasteve, shndërrohet në dënim penal, me burgim, nëpërmjet konvertimit.
Ndryshimet e tjera
Në projektligjin e propozuar nga Këshilli i Ministrave gjenden edhe disa ndryshime të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Kështu, ndryshimet kanë të bëjnë edhe me masat dhe nivelet e dënimeve për personat që kryejnë vepra të ndryshme penale. Në nenin 58 të Kodit Penal bëhen ndryshime përsa i përket termit të “Gjysmëlirisë”. Për dënimin deri në një vit burgim, gjykata, për shkak të detyrimeve të personit të dënuar për punën, arsimin, kualifikimin ose aftësimin personal, përgjegjësitë thelbësore familjare apo për nevojën për trajtim ose rehabilitim mjekësor, mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim gjysmëliri. Personi i dënuar, që vuan dënimin me gjysmëliri, është i detyruar të kthehet në burg pasi të ketë kryer detyrimet jashtë burgut, brenda periudhës kohore të përcaktuara nga gjykata. Në nenin 59 të Kodit Penal propozohen ndryshime që kanë të bëjnë me pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë. Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore, apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në 5 vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë tjetër vepër penale. Afati i provës është 18 muaj deri në 5 vjet. Nëse i dënuari nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo nuk përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 60, siç është urdhëruar nga gjykata, gjykata vendos zëvendësimin e dënimit të parë me një dënim tjetër, zgjatjen e afatit të mbikëqyrjes, brenda udhëtimit të provës ose revokimin e pezullimit të ekzekutimit.
23 Shtator 2008