Komisioni i Miratimit të Çmimeve, 4 miliardë dëm shtetit
Dëme të konsiderueshme i kanë ardhur shtetit nga veprimet e kryera prej komisionit që përcaktonte vlerën e municioneve që do demontoheshin. Për këtë arsye, një pjesë e të pandehurve, disa prej të cilëve ushtarakë dhe pjesa tjetër zyrtarë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, janë marrë të pandehur për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Kanë qenë dokumente të ndryshme që kanë provuar se këta të pandehur, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, kanë vepruar ose mosvepruar për t’i ardhur në ndihmë kompanisë së Mihal Delijorgjit, “Albdemil”, e cila ka përfituar miliarda lekë në dëm të shtetit shqiptar nga pasuria e Forcave të Armatosura. Në kërkesën për gjykim të grupit hetimor përshkruhen me detaje rolet dhe pozicionet e secilit prej këtyre të pandehurve, moszbatimi i disa kontratave dhe urdhrave, si dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. Sipas të dhënave hetimore, bëhet fjalë për rreth 4 miliardë lekë, të cilat kanë shkuar për llogari të “Albdemil”, ose më mirë në xhepat e Mihal Delijorgjit.
Akuzat
Referuar kërkesës për gjykim, i pandehuri Ardian Mullahi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me të pandehurin Ylli Pinari, në mospërmbushje të rregullt të detyrës më datë 24. 08. 2007, i kanë dhënë leje për eksportim shoqërisë “SAC inc”, për materialin barut të dalë nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve të kalibrit të vogël, për sasinë 700 ton, ndërkohë që ky subjekt nuk ishte i licencuar nga Komisioni i Posaçëm dhe në mungesë të certifikatës së përdoruesit të fundit. Ky veprim është kryer në shkelje të aktit nënligjor: Rregullorja e Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603 datë 18.09.2003, “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve në veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarake”, neni 3, paragrafi I dhe II, pikat 1 e 2, si dhe neni 4 i tij. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë përfitimin e padrejtë jomaterial për shoqërinë SAC, duke i dhënë padrejtësisht të drejtën e eksportit të produkteve të dala nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve. Këtu shihet nga akuza një bashkëpunim i pastër mes dy të pandehurve Mullahi e Pinari, të cilët kanë kryer veprën penale “shpërdorim të detyrës”, parashikuar nga nenet 248 e 25 të K. Penal. Por, të njëjtën gjë ka bërë edhe i pandehuri Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm i MM, në bashkëpunim me të pandehurin Ylli Pinari, të cilët në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë ndihmuar shoqërinë “Albdemil” sh.p.k. në dhënien e lejes së eksportit nr. 7438, datë 29.10.2007, për materialin “barut” të dalë nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve, në sasinë 700 ton; si dhe të lejes së eksportit nr. 8824, datë 17.12.2007 për koka fisheku të kalibrit 7.62 mm. Këto veprime janë kryer në shkelje të akteve, siç janë: ‐ urdhri nr. 550, datë 25. 04. 2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138, dt. 14.3.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi” për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, pika 1; - Rregullorja e Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003, “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve në veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarake”, neni 3, paragrafi I dhe II, pikat 1 e 2, si dhe neni 4 i tij. Me këtë veprim, të kryer në bashkëpunim, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë sjellë si pasojë përfitimin e padrejtë jomaterial për shoqërinë “Albdemil” sh.p.k., duke i dhënë padrejtësisht të drejtën e eksportit të produkteve të dala nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve. Për këtë fakt, të pandehurit Adriatik Mema dhe Ylli Pinari, në bashkëpunim, kanë kryer veprën penale “shpërdorim të detyrës”, parashikuar nga nenet 248 e 25 të K. Penal. Sipas grupit hetimor, mbështetur në faktet kriminale të përshkruara më sipër në këtë kërkesë për gjykim, në përfundim të përgatitjes dhe miratimit të akteve administrative, kontratës dhe realizimit të procesit të shitjes së municioneve dhe të çmontimit e çmilitarizimit të fishekëve, të kalibrave 7.62 mm, 8mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm, në “Ish-Brigadën e Tankeve” në Gërdec, të pandehurit e përmendur më sipër, në bashkëpunim dhe në bashkëfajësi, me veprimet dhe mosveprimet e kryera me dashje, në shkelje të ligjit e akteve nënligjore dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre. E gjithë vlera e dëmit të shkaktuar shtetit është planifikuar, urdhëruar dhe realizuar në interes të përfitimeve të padrejta materiale për shoqërinë “Albdemil” sh.p.k., nëpërmjet shoqërisë “SAC inc”.
Tri shkeljet në dhënien e lejes
* Shoqëria “Albdemil” sh.p.k. nuk ka qenë subjekti kontraktor siç parashikonte urdhri nr. 550, datë 25.4.2007;
* Ky subjekt nuk ishte i licencuar nga Komisioni i Posaçëm;
* Ky subjekt nuk kishte certifikatën e përdoruesit të fundit.
Dëmet monetare në dëm të shtetit
148.955.440 lekë ishin të ardhurat e planifikuara
97.146.150,2 lekë ose 62.5% kanë hyrë në buxhetin e shtetit
902.294.285,1 lekë është dëmi material i shkaktuar, vlerë e cila përfaqëson dëmin material të shkaktuar
833.291.227 lekë nga diferenca e çmimit të shitjes
408.870 lekë nga shmangia e detyrimeve tatimore nga shoqëria “SAC inc”,
865. 2484,9 lekë nga mosvjelja e qerasë
35.389.243 lekë nga mospagimi i shpenzimeve e transportit për urdhrin MM nr. 550, datë 25.04.2007
372.381 lekë nga mospagimi i shpenzimeve të transportit për urdhrin MM nr. 1208, datë 19.07.2007
49.046 lekë nga mospagimi i shpenzimeve të transportit për urdhrin MM nr. 1300, datë 07.08.2007
5.491.173,6 lekë nga mosfaturimi i ambalazheve të municioneve të shitura
1.108.800 lekë nga mosfaturimi i 500 mijë fishekëve të shitur
Mosgarantimi i sigurisë
Në aspektin e sigurisë publike, sipas akuzës, është provuar se nuk kanë garantuar sigurinë e procesit të çmontimit dhe të çmilitarizimit, për shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme nga ky proces me rrezikshmëri të theksuar për jetën dhe shëndetin e punonjësve të përfshirë në proces, si dhe për jetën, shëndetin dhe pasurinë e banorëve, bizneseve dhe pasurinë publike në rajonin e Komunës Gërdec e më gjerë. Kjo, sepse i kanë hapur rrugë kryerjes së këtij aktiviteti të palicencuar, në një ambient/territor të palicencuar, afër qendrave të banuara, objekteve sociale dhe bizneseve, rrugëve nacionale dhe aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas etj., si dhe i kanë hapur rrugë kryerjes së një procesi të pagarantuar për respektimin e standardeve të sigurisë nga shoqëria “Albdemil” sh.p.k., e cila ka kryer një proces të pasigurtë, e shprehur veç të tjerave në mbajtjen dhe depozitimin e sasisë prej 404.8 ton barut, në ato ambiente, deri në datën e shpërthimit, 15.03.2008, çka ka ndikuar në rritjen e nivelit të pasojave të ardhura nga kjo ngjarje.