E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, papunësia ul aplikimin për kartat

BERAT- Në të tria qendrat e hapura për aplikimin për karta identiteti në harkun kohor prej një muaji kanë aplikuar vetëm 5510 shtetas të qytetit të Beratit.


Numri shumë i ulët i aplikuesve për marrjen e letërnjoftimit elektronik bëhet i ditur edhe nga vetë operatorët e këtij shërbimi, të cilët pohojnë se numri i shtetasve që paraqiten në këto qendra për t'u pajisur me kartat e identitetit ka qenë 60-70 aplikues në ditë.


Erajla Nasufi, operatorja e qendrës Nr.2 në qytetin e Beratit pohon për gazetën se neglizhenca e qytetarëve beratas për pajisjen me kartat e identitetit lidhet edhe me faktin se për një pjesë të madhe të tyre çmimi prej 1 200 lekësh është i papërballueshëm, pasi dihet që Berati është qyteti ku, për shkak të papunësisë, ka pllakosur varfëria.


Operatorja Erajla Nasufi pohon se gjatë këtij procesi janë hasur probleme me gjetjen e adresave të qytetarëve, me ikjen e sinjalit të internetit, janë hasur vonesa të theksuara nga ana e postës në shpërndarjen e formularëve, ndërkohë që edhe pse ky proces ka më shumë se 1 muaj që ka filluar, ende nuk është shpërndarë asnjë kartë për ata qytetarë që kanë aplikuar të parët për to. Vetë banorët e pohojnë se me pensionet dhe rrogat që ata marrin nga përkrahja sociale e bën të papërballueshme pagesën prej 1 200 lekësh të kartave të identitetit.

Banorët pohojnë se në qytetin e Beratit vetëm 15-20% e banorëve kanë mundësi financiare për ta përballuar pagesën e kartave të identitetit, ndërkohë që 80% janë në kushte shumë të vështira ekonomike, pa punë, pensionistë me një pension maksimal prej 10 000 lekësh dhe me rroga shumë të ulëta.

Statistikat tregojnë se qyteti i Beratit ka një numër shumë të lartë të papunësh, por duke ditur se pajisja me kartat e identitetit është një detyrim ligjor, qytetarët thonë se janë të detyruar ta marrin atë, edhe pse për ta paguar duhet të heqin dorë nga disa ushqime të nevojshme familjare në mua.


"Shteti duhet të marrë masa që për një pjesë të mirë të popullsisë që nuk kanë mundësi ta paguajnë kartën e identitetit, të përgjysmojnë çmimin e tyre. Ne nuk besojnë në premtimet e qeverisë se çmimi i këtyre kartave do të kompensohet më vonë për pensionistët,"- shprehen disa prej pensionistëve beratas.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›