E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonstruksioni i rrugës bashkon ujërat e bardha me të zezat

Gjirokastër

GJIROKASTËR- Rikonstruksioni i aksit rrugor kthehet në shqetësim real për banorët, për shkak të problematikave të krijuara.

Ndryshe nga sa pritej, punimet për ndërtimin e rrugës mes pallateve në lagjen "18 shtatori", prej më shumë se tri javësh janë kthyer në një ankth të vërtetë për banorët e pallatit 68, por edhe për zonën përreth.


Fenomeni i bashkimit të ujërave të bardha me ato të zeza, si shkak i bllokimit të kanaleve është prezent, duke krijuar një situatë aspak të këndshme, ndërsa banorët i tremben përhapjes së ndonjë epidemie të mundshme. "Punimet për ndërtimin e rrugës kanë bllokuar kanalin e ujërave të bardha dhe gjatë ditëve me reshje, ne përmbytemi.

Po kështu, kanë zënë edhe tubacionin e ujërave të zeza, duke bërë që rreth pallatit të krijohet një ambient tërësisht johigjienik, si rezultat i ujërave të zeza që kanë dalë në sipërfaqe.

Shpeshherë jemi ankuar për këtë problem, por askush nuk na ka dëgjuar. Asnjë prej nesh nuk e meriton këtë situatë, por ajo që është më e keqja, është rreziku i përhapjes së ndonjë epidemie",- është shprehur Vaso Pesha, njëri prej banorëve të pallatit 68 në lagjen "18 shtatori".

Në këtë pallat jetojnë 12 familje, të cilat kanë paralajmëruar për protestë, madje deri në bllokimin e punimeve nëse nuk do të merren masa të menjëhershme për ndryshimin e gjendjes.


Të verbrit e Vlorës kërcënojnë me protesta


VLORË - "Duke parë gjendjen e pandryshueshme, do të hidhemi në protesta". Deklarata vjen nga ana e shoqatës së të verbërve në Vlorë, përfaqësues të së cilës kanë dalë dje në një konferencë për shtyp.

Nëpërmjet saj ata kanë denoncuar qëndrimin e deritanishëm të qeverisë ndaj kësaj kategorie në nevojë.

"Ajo çka jep qeveria për të verbrit, shihet thjesht në kuadrin ekonomik, dhe aspak në aspektin social, - tha kreu i shoqatës së Vlorës, Kristaq Xhaho. Sipas tij, problemi është i njohur prej vitesh, por qeveria nuk ka bërë asgjë në lidhje me krijimin e lehtësirave për kategorinë e të verbërve.

Po me anën e një peticioni, të verbrit kanë kërkuar shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr 870, 2008, në lidhje me përfitimet nga statusi i të verbërve. "Kjo kategori merr një pagesë mujore prej 8 700 lekësh, shifër e cila nuk i lejon të mbajnë familjet". Po kështu ata kanë kërkuar të zbuten tatim-taksat ndaj kësaj kategorie, duke e parë këtë si një problem social.

Problemi i tretë që ata ngritën, ishte ai i krijimit të vendeve të punës për të verbrit ose favorizimit për vetëpunësim, faktorë të cilat vijojnë të shikohen me shpërfillje nga qeveritarët. Gjithsej në Vlorë janë 670 të verbër. 10 prej tyre janë të vetëpunësuar, ndërsa pjesa e tjetër është e papunë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›