E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Mali, bllokohen tetë autobusë nga ngricat

PUKË - Ulja e mëtejshme e temperaturave ka sjellë ngrica në segmentin rrugor nacional Qafë-Mali - Qafë-Shllak. Sipas burimeve nga drejtoria e policisë së Shkodrës, në Qafë-Shllak pasditen e djeshme ndodheshin 4 autobusë dhe rreth 10 autovetura të cilat nuk u lejuan të lëvizin pasi ngrica ishte e madhe dhe era që frynte e risillte dëborën në rrugë, ku dhe ajo ngrinte shumë shpejt.


Mjetet borëpastruese dhe fadromat po punonin për hapjen e rrugës dhe kalimin e automjeteve në drejtim të Qafës së Malit. Ndërkohë, në anën tjetër të këtij segmenti rrugor, në Qafë të Malit ishin katër autobusë që prisnin të kalonin drejt Kukësit, por dhe këta ishin bllokuar për të njëjtën arsye.

Mjetet që ndodheshin në këtë segment do të lëviznin në një drejtim pas mjeteve borëpastruese, dhe me radhë njëri pas tjetrit, bëjnë të ditur shërbimet e policisë së Pukës të cilat ishin të pranishme gjatë gjithë segmentit, së bashku me mjetet që vazhdojnë të punojnë për të mbajtur rrugën të kalueshme.

Për shkak të ngricës dhe erës së fortë, rruga është e kalueshme vetëm në një krah, dhe policia do të lejojë kalimin me radhë të mjeteve nga njëri krah në tjetrin.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›