E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Sigurisë dërgon 63 trupa në Çad

08/04/2009  Misioni i 63 Forcave të Armatosura do të drejtohet nga OKB-ja

Kalimi i trupave, Ministria e Mbrojtjes nuk pret vendimin e Kuvendit

Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e një kompanie të Forcave të Armatosura në Republikën e Çadit dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Këto trupa, 63 të tilla, do të dërgohen në kuadër të kontributit të Republikës së Shqipërisë në misionin “MINURCAT” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Misioni i autorizuar i kompanisë së Forcave të Armatosura do të jetë sigurimi dhe ruajtja e Shtabit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në N’Djamena, kryeqytet i Çadit. Përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, juristi Kristo Binjaku, sqaroi para anëtarëve të komisionit se aktualisht ushtarakëve tanë atje u ka mbaruar mandati dhe se këtë herë ushtarakët do të jenë jo më nën ombrellën e BE-së, por të OKB-së. “Në misionin tonë në Çad kanë qenë 63 trupa, po kaq do të shkojnë edhe këtë herë. Pra, shpenzimet financiare janë të njëjta. Ushtarakët për ditët e qëndrimit atje do të marrin veç pagës mujore edhe një shpërblim prej 60 euro, si dhe shpërblim për vështirësitë e shërbimit. Misioni qëndron atje 6 muaj dhe trupave që do të dërgojmë tani u mbaron mandati në tetor të këtij viti”, - tha ai. Për sa u takon shpenzimeve për ushqimin, fjetjen, transportin apo shërbimin shëndetësor, juristi Binjaku nënvizoi se ato do të paguhen nga strukturat e OKB-së. Në total efektet financiare për pjesëmarrjen në këtë mision për 6 muaj plus mbivendosja rreth 15 ditë, llogariten në masën 99 103 095 lekë, ku përfshihet shpërblimi ditor dhe sigurimi i jetës. Ndërsa shpërblimi ditor propozohet të jetë 60 euro në ditë për person, vlera e sigurimit të jetës për një ditë është 567 lekë për person. Kjo masë shpërblimi ditor është e njëjtë me atë të trupave që kanë qenë në Çad të drejtuar nga Bashkimi Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›