E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i OSSH, Qeveria i fal 50 mln USD borxhe në kurriz të KESH

Negociatat për shitjen e Operatorit të Shpërndarjes tek kompania çeke "Chez" ndodhen sipas Ministrisë së Ekonomisë në fazën finale. Në mënyrë të papritur qeveria ka bërë një ndërhyrje të minutës së fundit në bilancin e OSSH për të rritur vlerën e saj. Kjo ndërhyrje ndodh disa muaj pas zhvillimit të tenderit për shitjen e OSSH, ku u përzgjodh fituese kompania çeke. Sipas vendimit të qeverisë, rreth 50 milionë dollarë borxhe që OSSH ka te Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Botërore, tashmë do të kalojnë në bilancin e Korporatës Energjitike Shqiptare dhe do të shlyhen nga kjo e fundit, duke lehtësuar kështu detyrimet financiare të pronarit të ri të shpërndarjes. Po kështu vendimi i heq Korporatës Energjitike 1.1 miliardë lekë asete dhe ia transferon ato Operatorit të Shpërndarjes për të rritur më tej vlerën e kësaj të fundit.   Edhe detyrimet afatshkurtra prej 1 miliardë lekësh, për blerjen e energjisë elektrike që OSSH ka ndaj KESH dhe Operatorit të Transmetimit do të falen dhe do të kalojnë po për rritjen e kapitalit të OSSH. Negociatat e zgjatura për shitjen e OSSH mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë "Chez" vazhdojnë intensivisht prej disa muajsh dhe kontrata ende nuk është mundur të nënshkruhet. Vetë ministri i Energjetikës ka deklaruar në publik se procesi i negociatave ka qenë delikat dhe në disa pika të nxehta palët kanë patur dhe qëndrime të ndryshme, çka sipas disa ekspertëve mund të jetë dhe shkaku që ka imponuar ndërhyrjet e radhës së qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›