Duro: Sfidat e zgjedhjeve parlamentare të lidhura ngushtë me sfidën gjinore
Me rastin e 8 Marsit u zhvillua një aktivitet me temë "Progresi për Gratë, Progres për Shoqërinë", organizuar në Hotel Tirana International . I pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, theksoi të shtunën në aktivitetin, se "tashmë shoqëria shqiptare gjendet përpara sfidës së zgjedhjeve parlamentare, sfidë e lidhur shumë ngushtë edhe me sfidën gjinore" dhe që, sipas tij, do të vlerësohet në proceset demokratike të vendit dhe veçanërisht në atë të integrimit europian.
Duke e marrë fjalën në këtë aktivitet, organizuar me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në të cilën merrnin pjesë edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, përfaqësues të Qeverisë, Parlamentit, organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri dhe të shoqërisë civile, Duro u shpreh se ky 8 Mars ka sjellë ndryshime të thella dhe rrënjësore të kuadrit ligjor, në funksion te arritjes se barazisë gjinore, ku për herë te parë vendos nëpërmjet mekanizmit të përkohshëm të kuotës, arritjen e barazisë së përfaqësimit në të gjitha organet vendimarrëse të të gjitha llojeve të pushteteve. "Aktiviteti i konceptuar me tre panele te veçanta, solli mendimet dhe përqasjet e përfaqësuesve të legjislativit, ekzekutivit, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushave të ndryshme rreth problemeve të tilla si, "gruaja dhe e drejta për përfaqësim në vendimmarrje", e drejta për mbrojtje sociale, shëndetësore dhe nga dhuna në familje", "e drejta për punësim, aftësim profesional dhe biznes. Pjesëmarrësit në këtë aktivitet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjithë aktorëve dhe faktorëve për të ndryshuar situatën e barazisë gjinore në të gjitha fushat në vend, jo vetëm si një detyrim në kuadër të integrimit të familjen europiane, por edhe si një domosdoshmëri për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Sipas ministrit Duro, pabarazia në raportet gjinore është pjesë e asimetrisë dhe pabarazisë së zhvillimit ekonomik, marrëdhënieve, ndeshjes së qytetërimeve, feve, etnive, kulturave dhe identiteteve, përparimit teknologjik dhe shkencor. Duke u ndalur në kapacitetet që mbartin femrat, ministri i Punës theksoi se "gratë në Shqipëri përbëjnë 58% të të arsimuarve dhe nga këto 38.1% janë me grada shkencore, gjë që tregon se janë të gjitha mundësitë që përfaqësimi i grave në Parlament dhe në të gjitha nivelet të jetë jo thjesht sasior, por edhe cilësor".
Last Updated on Saturday, 07 March 2009 22:33
Last Updated on Saturday, 07 March 2009 22:33