E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i ligjeve, debat për gjykatën Administrative

>Euralius, oponencë kundrejt disa neneve të ligjit
Komisioni i Ligjeve ka debatuar ditën e djeshme rreth Gjykatës Administrative, e cila tashmë mesa duket po kalon burokracitë e administratës duke u diskutuar në komisionin e Ligjeve. Ngritja e kësaj gjykate është një domosdoshmëri për të zgjidhur problemet e shumta të biznesit me administratën tatimore. Shumë shoqata biznesi kanë kërkuar nga qeveria ngritjen  e kësaj gjykate për vetë faktin se pas ligjit të fundit të procedurave tatimore, biznesi gjendet tej mase i pambrojtur përballë abuzivizmit të administratës. Ditën e djeshme në në Komisionin Parlamentar të Ligjeve u diskutua rreth miratimit të ëtij ligji. . Sipas projektligjit të hartuar nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë synohet garantimi i mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Pra, synohet krijimi i kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv, duke vënë në vend të drejtat e cenuara nga veprimet apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike. Çdo person i cili mund të jetë një qytetar i thjeshtë, punëmarrës, organ shtetëror i pushtetit ekzekutiv që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim administrativ ka të drejtë të ngrejë padi kundër veprimit antiligjor të administratës publike.  Siç parashikohet në projektligj, padia kundër aktit nënligjor normativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve nga cenimi i së drejtës ose i interesit të ligjshëm, por gjithsesi jo më vonë se tre vjet nga data e nxjerrjes së aktit. Kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e padisë do të jetë 90 ditë. Në këtë pikë të nenit 14/2/3 kryekomisioneri Ilir Rusmajli u shpreh se ashtu sikurse Euralius ka theksuar në kuvendin e mëparshëm dhe ashtu sikurse kanë theksuar edhe ekspertët e tjerë në vend të afatit 90 ditë duhet të jetë 1 vit dhe se në nenin 14/3 nuk duhet të parashikojë asnjë afat. Afati prej 3 vjetësh duhet të hiqet. Nga ana tjetër eksperti në Ministrinë e Drejtësinë z.Miran Kopani sqaroi se si parim i disa parimeve të institucioneve ndërkombëtare akti administrativ do të përmbajë dhe të drejtën e ankimit të qytetarëve, si dhe brenda afatit konkret ai duhet ta shqyrtojë këtë të drejtë. Afati 90 ditë, vijoi Kopani,- është dhe në rast se edhe akti administrativ nuk e tregon qartë se ndaj kujt duhet të bëhet ankimi. Dhe është lënë afati 3 vjet me qëllim që të krijohet një lloj stabiliteti juridik në lidhje me zbatimin e normave juridike,- tha ai.  Gjithashtu, edhe për nenet 21 dhe 27 ka pasur vërejtje nga Euralius ku dje në komision u morën parasysh nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët në seancën e ardhshme do të vijnë me një perceptim të ri. Neni 21 I projektligjit sqaron se, gjyqtari, në përfundim të të veprimeve përgatitore dhe jo më vonë se 10 ditë nga data e paraqitjes së padisë, nxjerr urdhrin për caktimin e seancës gjyqësore. Në rastin e padisë me të meta, ky afat është jo më vonë se tri ditë nga data e plotësimit të të metave. Ndërsa, neni 27 sqaron se kur një gjykatë gjatë një gjykimi jo administrative, çmon se një akt nënligjor është i paligjshëm, atherë nuk e zbaton atë. Në këtë rast, ajo pezullon gjykimin dhe ia dërgon çështjen gjykatës së apelit. Kjo e fundit shprehet brenda 15 ditëve, pasi ka thirrur palët e interesuara dhe organin që ka njxjerrë aktin. Megjithatë, këto dy nene janë lënë për diskutim seancën e ardhshme, ku do të vinë me një format të ri nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë. Përballja e Shoqatës së  Konfindustrisë me gjykatën dhe moszgjidhja e problemeve që kanë në qendër biznesin, e kanë bërë të domosdoshëm  takimin në seancën e kaluar me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të cilët mbështetën me bindje të plotë përshpejtimin e ngritjes së gjykatës administarive. Gjergj Buxhuku kryetar i shoqatës së Konfindustrisë tha  se sistemi gjyqësor i sotëm vlerësohet si i paaftë të përballet me problematikën në rritje të biznesit dhe ndërhyrjet e padrejta të institucioneve shtetërore ndaj biznesit në raste që kanë filluar të shtohen. Kjo gjykatë u tha në kërkesë duhet të jetë e pavarur nga ekzekutivi me qëllim zgjidhjen me profesionalizëm dhe shpejtësi të problemeve që ka biznesi që deri tani ka patur ndërhyrje të mëdha. Më pas u tha se sistemi gjyqësor nga praktika e punës së biznesit rezulton se është mjaft larg standardeve të sistemit gjyqësor të BE-së, duke prodhuar kështu kosto shtesë krejt të panevojshme për ekonominë shqiptare në përballjen e saj me konkurrencën e ashpër pas nënshkrimit të MSA-së në raport me prodhimet e shërbimet e huaja. Duke u krijuar Gjykata Administrative e pavarur nga ekzekutivi, sipas përfaqësuesve të shoqatës, do të rritet besimi biznesshtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›