E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet kreu i Pronave Vatnikaj, emërohet Çefa

>Kthimi i pronave, ngërçi i qeverisë Berisha
Agjencia e Kthimit të Pronave është institucioni më problematik i qeverisjes Berisha. Nëse në shumë institucione kreu i qeverisë nuk ka bërë lëvizje të shpeshta, në rastin e institucionit të kthimit të pronave ka kryer shpeshherë ndryshime të krerëve të saj. Gjatë mandatit të tij qeverisë, kryeministri Berisha ka ndërruar tre krerë të pronave. Justina Boriçi qëndroi më pak se 10 muaj në krye të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, e emëruar aty po nga kryeministri Berisha, pas shkrirjes së ish Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, strukturë që ishte në varësi të Parlamentit dhe që u drejtua për dy vjet nga Sokrat Sinaj. Boriçi u shkarkua në 28 qershor të 2007 duke zëvendësuar nga Besnik Maho.  I shkurtër ka qenë edhe qëndrimi i Mahos në krye të Agjencisë së Pronave. Në 21 maj të 2008Besnik Maho është shkarkuar nën për një sërë shkeljesh të gjetura gjatë kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë.  Pasardhësi i Mahos, Tunxh Vatnikaj, ka qëndruar në këtë post nga Maji i 2008 deri ditën e djeshme.  Dje Berisha nëpërmjet një vendimi  të Këshillit të Ministrave shkarkoi Tunxh Vatnikaj për të ardhur në këtë post Elvis Çefa. Ndërrimet e shpeshta të krerëve të këtij institucioni, duket se nuk fshehin dot problematikën e krijuar nga mos kthimi i pronave. Qeverisja Berisha tashmë ka dalë jashtë programit të saj fillestar nëpërmjet të cilit pretendonte të kthente pronat në origjinën e saj. Pronarët tashmë janë kthyer në objekt abuzivizimi, ku pushteti i Berishës i ka parë si subjekte ku mund të përfitohet. Duke kryer lëvizje të shpeshta në Komisionin e Pronave, Berisha kërkon të krijojë një imazh të ri në gjirin e ish-pronarëve, të cilët janë konsideruar pjesë e elektoratit mbështetës të PD. Një problem serioz gjatë këtyre viteve ka qenë edhe zvarritja që i është bërë ish-pronarëve përsa i përket kompensimit monetar. Buxheti i caktuar për viti8n 2008 dështoi, megjithë premtimet e bëra nga qeveria. Kritika të ashpra në drejtim të qeverisë përsa i përket kthimit dhe kompensimit të pronave ka lëshuar edhe Deparatmenti Amerikan i Shtetit, i cili në raportin e vitit 2007 thekson se : Kthimi i pronave vazhdon të jetë një problem që po zvarritet nga qeveria. Ky është konkluzioni i Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin për Shqipërinë lidhur me liritë dhe të drejtat e njeriut. Lidhur me çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave, Departamenti Amerikan i Shtetit i referohet raportit vjetor të Avokatit të Popullit. "Raporti vjetor i Avokatit të Popullit vërente që në vitin 2006, një total prej 125 ankesash lidheshin me kompensimin e pronës. Nga këto, 107 ishin shqyrtuar plotësisht dhe 19 ishin zgjidhur në favor të pretenduesit. Në vitin 2005, qeveria përcaktoi një fond prej 3.6 milionë dollarësh (300 milionë lekë) për t'u ofruar kompensim ankuesve", theksohet në raport. Ndërkohë, duke cituar drejtorin e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës, "buxheti i përbashkët 2007-'08 përcaktuar nga qeveria për kompensim të pronës ishte afërsisht 11 milionë dollarë. Kostoja totale për kompensimin e pronarëve në mbarë vendin vlerësohej në 3.5 miliardë dollarë. Qysh nga viti 1993, qeveria kishte miratuar 50.000 vendime mbi tituj të pronësisë. Nga këto, 1.000 gëzojnë të drejtën të blejnë objektet e ndërtuara mbi tokën e tyre".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›