E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Bushati: Qytetarët gjatë 2008, konsumuan më pak, paguan më shtrenjtë

Ervin Bushati

Tiranë, 22 Janar, 11:32, NOA - Qytetarët shqiptarë gjatë vitit 2008 kanë konsumuar më pak dhe paguan më shtrenjtë se në 2005, tha sot, nënsekretari për programin në Partinë Socialiste, Ervin Bushati. Sipas tij, sasia e ushqimeve dhe mallrave të ardhura nga jashtë për vitin që lamë pas ishte më ulët, por çmimet e tyre ishin 75 për qind më e shumë se në vitin 2005.

Sipas Bushatit, “çmimet e mallrave të konsumit janë rritur mesatarisht me 25 për qind në vit nga 2005, sipas të dhënave të fundit për importet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Qeverisja e mangët dhe prania e monopoleve në treg të bekuara nga qeveria, kanë bërë që gjithçka që blihet të jetë tepër e shtrenjtë. Rënia e fuqisë blerëse në treg është një problem që rëndon jetesën e familjeve shqiptare sot dhe këto vitet e fundit”.

“Importet zënë një vend të rëndësishëm në shpenzimet e një familje, kur mallrat kryesore të konsumit si: miell, vaj, oriz, naftë etj. vazhdojnë të vijnë nga jashtë vendit. Kjo do të thotë më pak blerje për çdo qytetar, me çmime më të larta dhe një jetë më e vështirë për të gjithë ata që nuk janë brenda planeve të qeverisë në ekonomi”, tha ai.

“Qeveria bën shurdhin përballë rënies së fuqisë blerëse duke vazhduar të shpërdorojë para publike në propagandën e kotë, pasi çdo shqiptar e di mirë sa para ka tashmë në xhepin e tij. Qëndrimi i qeverisë përballë rënies së fuqisë blerëse na shqetëson, jo vetëm për seriozitetin e kësaj mazhorance, por mbi të gjitha për jetesën e familjeve shqiptare”, përfundoi deklaratën e tij Ervin Bushati.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›