Komisioni nuk kërkon shtyrje të afatit - Kodi Zgjedhor do të diskutohet në seancë plenare

Palët në komisionin e reformës zgjedhore nuk bien dakord për procesin e ankimimit dhe KQZ-në
Komisioni i Reformës Zgjedhore, pritet që gjatë ditës së sotme t’i dorëzojë raportin përfundimtar Kuvendit, ku për nenet që është rënë dakord do të propozohet për votimin e tyre në seancën plenare të së enjtes. Ndërsa për nenet që mungon konsensusi palët kanë lënë mundësinë e hapur për diskutimin e tyre gjatë ditës së sotme deri para nisjes së votimit në Kuvend, që do jetë nesër. Për nenet e pa miratuara do të jenë sërish ligjvënësit që do të vendosin për vijim të bisedimeve apo mbylljen e tyre, që do të shënonte dhe përmbylljen e punës së komisionit, që u ngrit në mesin e nëntorit të vitit të kaluar.
Dita e djeshme ishte afati i fundit që Komisioni për Reformën Zgjedhore të mbyllte kodin e ri elektoral. Por ngërçi që ka bllokuar palët është fokusuar në formatin dhe zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së si dhe procesin ankimor.
Pas më shumë se dy orësh diskutime dhe debate të ashpra mes palëve në Komisionin për Reformën Zgjedhore, PD-ja e PS-ja nuk kanë rënë dakord për ankimin e zgjedhjeve. Socialistët nga ana e tyre kërkuan që të hapen kutitë pas kërkesës të bërë nga dy anëtarë të KQZ-së, ndërsa demokratët këmbëngulën që hapja e kutive të bëhet pas fakteve dhe provave të mbledhura për shkelje.
Ndërkohë të dyja palët ndahen edhe në një tjetër pikë, që i përket kapitullit të KQZ-së. PS-ja propozon që KQZ-ja e re të nisë punën menjëherë sapo të miratohet në Kuvend, por demokratët kujtojnë faktin se shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së kanë mandat deri në dhjetor dhe, nëse atyre u ndërpritet mandati më përpara, kjo është një shkelje e Kushtetutës.
Ndërkohë mësohet se Komisioni nuk ka kërkuar shtyrje të afatit të dhënë nga Kuvendi për realizimin e reformës.
Gjatë mbledhjes së djeshme është diskutuar edhe për çështjen e përdorimit të teknologjisë së re për identifikimin e votuesve gjatë ditës së votimit si dhe numërimin elektronik, propozime këto të bëra pak ditë më parë nga ekspertët e ODIHR-it.
Eksperti i çështjeve zgjedhore në Partinë Demokratike Oerd Bylykbashi, konfirmoi se rekomandimet e fundit të ODIHR-it për mospërdorimin e teknologjisë elektronike për zgjedhjet e 2013-s do përfshihet nga palët në Kodin e ri Zgjedhor.
Pak orë para fillimit të mbledhjes së pasdites së djeshme të Komisionit për Reformën Zgjedhore Bylykbashi u shpreh se “Komisioni i Reformës do t’i miratojë propozimet e ODIHR-it në lidhje me leximin elektronik të kartave të identitetit në ditën e votimit nga votuesit dhe përdorimit të teknologjisë, pasi në radhë të parë nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e PS-së, por gjithashtu komisionit në vendimin e Kuvendit i është përcaktuar që do të pranojë çfarëdo mendimi që do vijë nga ekspertët e OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecies”. Këto amendime për Bylykbashin nuk janë propozime, por, “janë vërejtje që duhen implementuar në Kodin e ri, pasi përderisa kemi rënë dakord që çdo ndërhyrje që i bëhet Kodit aktual duhet të konsultohet dhe miratohet nga këto institucione, e njëjta gjë ndodh edhe me propozimet në fjalë”.