“Marrëveshja PD-PS të mbyllet para nisjes se procedurave për zgjedhjen e presidentit”

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, flet pas takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri
Në një intervistë për “ABC News” Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule thekson domosdoshmërinë që marrëveshja mes dy partive të mëdha të mbyllet para nisjes se procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri. “Nëse afatet shkelen atëherë, marrëveshja do të jetë pjesë e problemit”, tha eurokomisioneri duke vlerësuar mbarëvajtjen e deritanishme të marrëveshjes dhe në veçanti të konsensusit mes palëve
Bashkimi Europian shërben si fuqi tërheqëse për transformimin demokratik dhe ekonomik të vendeve të Ballkanit, mesazh që ju e përçuat edhe në 9 maj. Por kemi dy shembuj konkret, kur ju nuk e përdorni këtë fuqi tërheqëse dhe kur e përdorni. Kur ju lini Maqedoninë 6 vjet pa hapjen e negociatave të anëtarësimit, ajo që korrni është konflikti etnik. Kur ju e përdorni forcën tërheqëse të BE si në rastin e Serbisë, ajo prodhon rezultate të dukshme. Në rastin e Shqipërisë, a do ta përdorni fuqinë tërheqëse të BE-së për ta çuar vendin para?
Pyetja juaj është shumë legjitime, por e rëndësishme të kuptoni, se ne nuk jemi duke zbatuar një politikë me standarde të dyfishta për partnerët tanë. Po suksesi i procesit varet se në çfarë masë autoritetet e vendit dhe palët e tjera të përfshira në këtë proces mund të angazhohen dhe të japin rezultate për reformat. Shkupi e di prej kohësh se cila është pengesa në rrugën e saj. Megjithatë, Komisioni Europian përmes dialogut të nivelit të lartë tenton të krijojë kushte më të mira për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ne e kemi bërë këtë duke njohur situatën në vend. Kjo shpjegon pse kemi rënë dakord me kryeministrin Gruevski që një nga prioritetet është të shohim 10 vitet e marrëveshjes së Ohrit, ku ka probleme dhe ç’mund të bëjmë për këto. Për Shqipërinë, ne patëm një këshill stabilizim asociimi shumë produktiv. Vitin e kaluar, në këshillin e tretë të stabilizim asociimit, ne po rendisnim një listë me probleme, ndërkohë që sot u përqendruam te zgjidhja. Ky nuk është rezultati i kreativitetit tonë, apo se kemi bërë punën në vend të shqiptarëve, por se palët e përfshira në proces në Shqipëri, qeveria dhe opozita e kanë kuptuar, se vetëm duke punuar së bashku mund të realizojnë aspiratat e qytetarëve shqiptarë dhe vetëm duke punuar së bashku ata mund të arrijnë rezultate. Kjo është për mua forca tërheqëse në këtë rast.
E besoni në një avancim para 24 majit, sepse ju i latë vetëm 10 ditë palëve për të përmbyllur reformat?
Kemi pasur një sërë arritjesh deri tani, marrëveshja e nëntorit është një arritje,të shohësh të dyja palët që arrijnë marrëveshje në shumicën e çështjeve të reformës elektorale dhe asaj të Kuvendit është gjithashtu arritje. Ne po presim mbarimin e çështjeve që mbeten dhe nuk e kam fjalën këtu vetëm për çështjet teknike, por edhe ato politike. Një nga aspektet shumë pozitive të ditës së sotme ishte edhe prezenca për herë të parë e përfaqësuesve të opozitës,të kryetarit të komisionit parlamentar të integrimit. Pashë nga të dyja palët një angazhim për të shfrytëzuar ditët që mbeten për të përmbyllur zbatimin e marrëveshjes së nëntorit. Më gëzoi fakti, se ata janë të ndërgjegjshëm për faktin, se finalizimi i paktit të nëntorit para procesit të zgjedhjes së presidentit do të bëjë marrëveshjen e nëntorit pjesë të zgjidhjes. Nëse ata e humbin këtë afat, kjo do të kthehet në pjesë të problemit.