“Mesazhi është i qartë, nuk ka kthim mbrapa”

Majlinda Bregu, Ministrja e Integrimit
E pranishme, si në dëgjesën në Parlamentin Europian, njësoj edhe në Këshillin e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu konfirmoi nga Brukseli vullnetin e palëve për përmbylljen në kohë të reformave që burojnë nga marrëveshja e nëntorit.
Për përfitimin e statusit kandidat, Ministrja theksoi reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit, kreu i komisionit parlamentar për integrimin kujton edhe fushat e tjera ku vendit i kërkohen rezultate. “Besoj se ky mesazh, ndoshta dhe i pathënë në afat kohor të përcaktuar, pra në momentin kur duhet të fillojë zgjedhja e presidentit, ka qenë një mesazh i qartë për të gjithë. Gjithsesi, afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore është sot (ishte dje). Unë di që Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur dhe po punon sikurse kanë punuar deri dje vonë. 99 për qind të propozimeve që janë sjellë nga opozita janë pranuar dhe sot raporti final po shkruhet edhe me sugjerimet e OSBE/ODIHR-it. E rëndësishme është që ky proces të përmbyllet për të sjellë atë për të cilën është nisur: frymën e konsensusit, të vullnetit politik të palëve për të pranuar ndryshime të Kodit Zgjedhor në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ky proces mund të mbyllet edhe sot apo nesër. E rëndësishme është të mos ketë më asnjë kthim pas, sikurse u tha dhe nga Komisioneri, që kjo marrëveshje dhe ky lloj konsensusi politik të jetë stabël dhe të mos ketë më ndryshime. Dhe sigurisht, zgjedhja e presidentit që është vlerësuar që do të jetë një proces i negociueshëm, i cili do të përfaqësojë jo vetëm procesin, por edhe presidentin e zgjedhur në frymë dhe në letër sipas Kushtetutës, të jetë një proces që të mos i ngatërrojë apo t’i largojë palët për çështje që mund të ngelen të pazgjidhura”, deklaroi Ministrja Majlinda Bregu.