Zgjatimi i Bulevardit, sot shpallet fituesi, studiot paraqesin pikat e forta të projektit

Kryebashkiaku Lulzim Basha: “Impakti që projekti ka është një impakt kombëtar”
Garës për realizimin e projektit më të rëndësishëm të 50 viteve të ardhshme për kryeqytetin e Shqipërisë, zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimit të Lumit të Tiranës, po i vjen fundi.
Nga rëndësia dhe impakti që ka ky projekt jo vetëm për kryeqytetin, Bashkia e Tiranës ka marrë edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. “Ne ndodhemi shumë afër finishit të kësaj gare, e cila ka pasur si garues, ndër atletët më të shquar të arkitekturës botërore, megjithatë gara nuk ka përfunduar. Ne u japim sot mundësi qytetarëve të Tiranës, të jenë jo thjesht pjesëmarrës por edhe bashkëvendimarrës, në këtë vendim të jashtëzakonshëm për të ardhmen e qytetit të tyre. Impakti që projekti ka është një impakt kombëtar dhe kjo është arsyeja se pse që nga gjeneza e projektit, kemi marrë inkurajimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, në veçanti të Kryeministrit të Shqipërisë dhe kjo është edhe arsyeja se pse si kryetar i Bashkisë, unë ndihem shumë i nderuar që ai ndodhet sot këtu”, u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Kryeministri Berisha përshëndeti këtë fazë të shqyrtimit të projekteve dhe punën e bërë nga dy studiot prestigjioze ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha duke nënvizuar se kryeqyteti duhet të shprehë shpirtin dhe vokacionin e kombit, theksoi se Tirana e shekullit të 21-të duhet të rivendosë në qendër qytetarin. “Kryeqyteti duhet të shprehë shpirtin e kombit, duhet të shprehë vokacionin e kombit, kryeqyteti i këtij shekulli duhet të rivendosë dhe njëherë në epiqendër qytetarin”, u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se projekti përzgjedhës duhet të jetë i tëri në funksion të qytetarëve, hapësirave që atij i duhen, hapësirat e përmasave njerëzore, hapësirat e nevojshme për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm.
Gjithashtu, projekti që miratohet duhet të ketë parasysh ansamblin natyror të kryeqytetit, tha Kryeministri, duke theksuar se Tirana është ëndrra jo vetëm e qytetarëve të Tiranës, por është ëndrra e mbarë shqiptarëve.
Kryeministri Berisha ka ofruar mbështetjen e qeverisë për ndërtimin e Tiranës moderne europiane, mbështetje e cila siç tha Kryeministri, i është dhënë edhe paraardhësit të kryebashkiakut Lulzim Basha. “Tirana është ëndrra jo vetëm e qytetarëve të Tiranës, por është ëndrra e mbarë shqiptarëve dhe shndërrimi saj në realitet, do të bëjë që Tirana të jetë krejtësisht tjetër. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët e Tiranës të prekin, të shijojnë, të kapin, të vështrojnë, të sodisin të gjithë ‘entourage’-in e qytetit. Qeveria është e vendosur t’ju mbështesë plotësisht. Qeveria ka qenë e gatshme të mbështesë edhe pararendësin tuaj, por ai kishte interesa të tjera dhe jo ato të qytetarëve të Tiranës, ndaj dhe unë ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm projektet e transformimit të Tiranës në një metropol evropian, të denjë për shqiptarët dhe kombin shqiptar”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha.
Më pas, në prani të Kryeministrit Sali Berisha dhe kryebashkiakut Lulzim Basha, dy studiot në garë, “DAR” dhe ‘GrimshaË” iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të grupit strategjik dhe qytetarëve, duke theksuar pikat e forta të projekteve të tyre.
Studio “DAR” ka ngushtuar në 100 metër gjerësinë e bulevardit nga 170 që e kishte në projektin e parë, duke sjellë dhe një reduktim të kostos së ndërtimit në rreth 20 milionë euro.
Shumica e parkimeve parashikohen nëntokë. “DAR” studio propozon që bulevardi të jetë për këmbësorët dhe makinat të kalojnë pas vijës së parë të ndërtimeve.
Ndërsa studio “GrimshaË” e parashikon në 60 m gjerësinë e bulevardit, duke ndërtuar tre sheshe përgjatë tij. Në këtë projekt, makinat qarkullojnë në mes të bulevardit.
E përbashkëta e dy studiove janë hapësirat e gjelbra, rrugët e dedikuara për këmbësorët dhe biçikletat.
Për projektin e bulevardit konkurruan më 8 mars 20 studiot më të mira arkitekturore të botës, të cilat prezantuan masterplanet për zgjatimin e Bulevardit, deri tek lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha. Këto studio sollën dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth.
Realizimi i këtij projekti është më i rëndësishmi për zhvillimin e Tiranës dhe do të hapë mijëra vende pune. Përgjatë bulevardit do të ndërtohen institucione të ndryshme publike, kulturore e arsimore. Do të ketë shumë hapësira të gjelbëruara dhe çdo ndryshim përgjatë bulevardit dhe Lumit të Tiranës, bëhet bazuar në një plan të mirë studiuar. Projekti i bulevardit dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës është pjesë e planit të përgjithshëm rregullues të Tiranës, i cili prezantohet më 18 maj dhe që do të jetë më pas, pjesë e konsultimit me qytetarët dhe grupet e interesit.