E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shqyrton në parim projktbuxhetin për arsimin

 

Në mbledhjen e datës 11 nëntor 2008, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi dhe shqyrtoi në parim projektbuxhetin për arsimin, projektligjin: Për Buxhetin e Shtetit të Vitit 2009, propozuar nga Këshilli i Ministrave. I ftuar në seancë dëgjimore për projektbuxhetin për arsimin, ishte Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja.
Gjatë diskutimit në parim të projektligjin Për Buxhetin e Shtetit të Vitit 2009, për pjesën e projektbuxhetit për arsimin, deputetët vlerësuan se:
 -Projektbuxheti i paraqitur është fokusuar në arritjen e objektivave të Qeverisë  përmes  rezultateve  konkrete, të cilat janë rrjedhojë e politikave të ndërmarra në fushën fiskale, rritjen e pagave e pensioneve, në reduktimin e shpenzimeve administrative, në rritjen e efiçencës së përdorimit të fondeve publike etj. Ky projektbuxhet i vitit 2009 si rrjedhojë e implementimit të  procedurave të reja  të menaxhimit të investimeve publike vjen me një cilësi më të lartë pasi sigurohet shpërndarja me përparësi e investimeve  në projekte të rëndësishme kombëtare etj.
 
Ministri i Arsimit në fjalën e tij, bëri një ekspoze në lidhje me parashikimet dhe planifikimet financiare në disa sektorë të arsimit, duke bërë edhe krahasimet e nevojshme me vitet e mëparshme si dhe rritjen e financimeve dhe investimeve në fushën e Arsimit, si dhe iu përgjigj pyetjeve që i shtruan anëtarët e Komisionit.
Ai paraqiti të dhëna mbi të dhënat se: Projektbuxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vitin 2009 është planifikuar 41.16 miliardë lekë, ose 3.5 për qind e PBB-së. Ky buxhet është rritur me 14.2 përqind më shumë se nga buxheti suplementar i vitit 2008. Përsa i përket shpenzimeve kapitale, totali i investimeve  për vitin 2009 për këtë ministri  është 8.55 miliardë lekë, ose 36 për qind  më i lartë se  viti 2008.  Ai shtoi se vihet re një rritje e ndieshme  e financimit të brendshëm me 31.9 për qind, ku vendin më të rëndësishëm e zë rritja në programin Arsimi Universitar me 53 për qind kundrejt buxhetit suplementar të vitit 2008. Vëmendje e veçantë i është kushtuar  edhe programeve Arsimi Bazë me 18.9 për qind rritje të investimeve, Arsimi i Mesëm i Përgjithshëm me 53.3 për qind dhe Arsimi Profesional  me 34.8 për qind.
Në përfundim të fjalës së tij Ministri i Arsimit dhe Shkencës,Fatos Beja i siguroi anëtarët e Komisionit se Ministria e Tij  është duke punuar për të arritur objektivat e vëna si qëllim për përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve si në pedagogji ashtu edhe në logjistikën e nevojshme për një shkollim sa me optimal në interes të arsimimit në shkallë vendi.
Si pikë e dytë në rendin e ditës Komisioni do të shqyrtonte, në prani të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, projektbuxhetin e planifikuar për këtë Ministri, gjë që nuk u bë e mundur për shkak të mungesës së kuorumit në Komision. Si rrjedhojë mbledhja për këtë pikë u la ditën e nesërme në ora 13:00.
 
                  

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›