E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat fillon prezantimin e projektligjit Për buxhetin e shtetit, të vitit 2009

 

Në mbledhjen e datës 7 nëntor 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat filloi diskutimin e projektligjit "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2009", me prezantimin e bërë nga Ministri i Financave, Ridvan Bode.
Projektbuxheti i vitit 2009 bazohet në arritjet pozitive më të mira të viteve të fundit dhe merr në konsideratë qendrueshmërinë në zhvillimet e fundit në tregun rajonal dhe atë botëror. Treguesi dhe objektivat e tij kryesorë janë:
 Të ardhurat kalojnë 333 miliardë lekë, pra rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë mbi 6% e PBB së, ku të ardhurat fiskale  rriten me një ritëm prej rreth 10%, e cila është rritje konservative, që kushtëzohet nga presioni i ekonomisë botërore dhe për të pasur një marzh sigurie më të lartë në ekzekutimin e buxhetit, pasi viti 2009 është vit zgjedhor.
 Inflacioni mbetet në të njëjtin objektiv 3% +/-  1.
 Niveli i papunësisë zyrtare do të vijë në rënie dhe do të jetë në parametrat 12. 7 12.8 %;
 Shpenzimet publike do të arrijnë në 383.197 milionë lekë dhe ka një përmirësim të shpërndarjes së tyre midis zërave të ndryshëm, përmirësim në procedurat e ekzekutimit duke rritur efikasitetin. 
 Do të ketë dyfishim të pagave në sektorin e arsimit dhe në sektorin e shëndetësisë, të pagave të ulëta dhe rritje të sistemit të pagave në të gjithë sektorët e tjerë. E reja e këtij buxheti është që rritja e pagave do të fillojë nga data 1 Maj.
 Do të ketë reformë në sektorin e shëndetësisë, e cila do të kalojë fondet e të gjitha spitaleve të Republikës nën ISKSHnë, ku të gjithë produktet e ofruara dhe shërbimet nga rrjeti spitalor të jenë produkte të blera nga ISKSH-ja, përmes kostimit të të gjitha shërbimeve që ofrojnë spitalet.
 Edhe për universitetet do të bëhet kalimi i të gjithë financimeve të universiteteve në formë granti, duke kostuar studentët.
 Do të rriten shpenzimet e mirëmbajtjes, ndërkohë që shpenzimet operative të funksionimit të administratës qendrore do të ulen. 
 Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore rriten rreth 20 % në krahasim me vitin e kaluar, e cila kushtëzohet nga rritja e pensioneve nga data 1 maj. Pensionet e fshatit rriten me  20 % dhe 10% pensionet e qytetit.
 Rriten grantet për pushtetin vendor në 25 miliardë lekë.
 Investimet publike mbeten prioritet i Qeverisë dhe do të mbeten 8 % e PBB së, rreth 1/3 e buxhetit të shteti. Investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë të marrin pjesën dërmuese të fondeve për investimet publike.
 Për vitin 2009 programohet një deficitit prej 4.2% e PBB-së.
 Rreth 15 miliardë lekë do të jenë kontigjenca, të cilat do të mbështesë çdo lloj luhatje që mund të ketë ekonomia, ose tregu në tërësi, gjatë vitit 2009.
Pas prezantimit të bërë, mbledhja vazhdoi me pyetjet e anëtarëve të Komisionit dhe përgjigjet e Ministrit të Financave për projektbuxhetin.
Në emër të deputetëve të opozitës, deputeti Erion Braçe paraqiti disa vërejtje për projektbuxhetin, ndër të cilat më kryesoret janë:
- Nuk parashikon rritje të të ardhurave;
- Ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal frenojnë rritjen e të ardhurave dhe cenojnë veprimtarinë e biznesit;
- Përdorimi i sistemeve të referencës mbingarkon biznesin me detyrime fiskale;
- Shpenzimet e parashikuara në projektbuxhet kanë rënie në krahasim me vitin 2008, sidomos në investimet me financim te huaj;
- Nuk janë zbatuar prioritetet në investimet publike në shëndetësi, arsim, bujqësi;
- Nuk ka përllogaritje të kostos për rrugën Rrëshen-Kalimash etj.
Komisioni do të vazhdojë diskutimin në parim të projektligjit në mbledhjet e ardhshme.

 

(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)

                                                                                          
 


   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›