E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskuton për Buxhetin 2009

 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 12.11.2008, vazhdoi shqyrtimin e  projektligjit :   Për buxhetin e shtetit, të vitit 2009.
Në mbledhje u dëgjuan dy informacione, së pari ai i Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve dhe më pas u dëgjua  informacioni i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ishin  të pranishëm në mbledhje Ministri i  Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Jemin Gjana,  dhe specialisti i kësaj Ministrie Agron Vata, si dhe  përfaqësuesit e Ministrisë  së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve Sonila Bako, Andi Toma dhe  Taulant Zeneli.
Në pjesën e parë të mbledhjes,  përfaqësuesit e MPPTT sqaruan deputetët për pyetjet e bëra mbi  kriteret e shpërndarjes së investimeve, si dhe strukturën e investimeve të paraqitura  në projektbuxhetin e vitit 2009.
Gjatë dëgjimit të informacionit të  Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit,  anëtarët e Komisionit theksuan edhe një herë se  megjithëse  bujqësia jep  pjesën më të madhe në PBB,  kjo degë kryesore e ekonomisë, ashtu si edhe në  buxhetet kaluara,  vazhdon të mos mbështetet. Ministri, Jemin Gjana paraqiti një propozim  që përmbante disa sistemime për projektbuxhetin e vitit 2009 që do të  përmirësonin ndjeshëm buxhetin e Ministrisë për vitin 2009. Këto ndryshime ishin:
1. Kalimi i fondit  kundërparti të projektit 2KR prej 320 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2009 të MBUMK.
2. Shtimi  i një fondi prej 40 milionë lekësh të financuara nga MADA, në programin e zhvillimit rural.
3. Shtimi  i një fondi prej 40 milionë lekësh të financuara nga MADA për luftimin e brucelozës dhe një fondi prej 50 milionë lekësh  për paisje  laboratori, financuar nga kooperacioni italian, në programin: Siguria Ushqimore dhe Mbrojtja e Konsumatorit .
4. Përfshirja  në  buxhetin e MBUMK-së,  të buxhetit   për Agjencinë e Pagesave.
5. Shtimi i një fondi  prej 130 milionë lekësh  për  programin e zhvillimit rural.
Në përfundim,  Komisioni vendosi ta  mbështesë këtë  propozim në seancë plenare.
                 
      
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 293).
             

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›