Komiteti i Helsinkit: Përdhunimi i fëmijës, një akt çnjerëzor
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), me anë të një deklarate dënoi dje me indinjatë aktin e rëndë çnjerëzor ndaj një fëmije 6-vjeçar prej qytetit të Peqinit, të përdhunuar nga i akuzuari Armand Doda (i arrestuar). “Vepra të tilla që mund të shoqërohen me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e viktimës kërkojnë hetim të shpejtë, objektiv dhe të gjithanshëm, si dhe dënim të ashpër në përputhje me ligjin”, thuhet në deklaratën e KSHH. Sipas saj, disa të dhëna që jepen në median e shkruar dhe atë elektronike, informojnë se babai i fëmijës të përdhunuar, Pëllumb Kurti, është kërcënuar për tërheqje të denoncimit të paraqitur në organet e Policisë së Shtetit. Për këtë ai ka kërkuar mbrojtjen përkatëse. “KSHH u sugjeron organeve të policisë që të vlerësojnë seriozisht jo vetëm ankesën e tij të bërë publike, por ta verifikojnë atë duke vënë para përgjegjësisë ligjore çdo person që mund të ketë kanosur atë, pavarësisht nga format që mund të kenë përdorur. Me këtë rast KSHH i bën thirrje opinionit të gjerë shoqëror, që nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të kontrollojë më tepër parandalimin e shfaqjeve të tilla kriminale. Në këtë drejtim, një rol të rëndësishëm mund dhe duhet të luajë shkolla e familja, si dhe ambientet e ndryshme ku rriten dhe edukohen fëmijët”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, KSHH, nëpërmjet medias u informua gjithashtu se lidhur me këtë çështje është akuzuar për moskallëzim të krimit edhe mjeku i spitalit kirurgjikal të Elbasanit që ka vizituar fëmijën e dhunuar. “KSHH nuk paragjykon as akuzën, as ndalimin dhe as fajësinë e tij, por për efekte edukuese dhe parandaluese e shikon të nevojshme t’i referohet nenit 300 të Kodit Penal, që dënon moskallëzimin e krimit, si dhe nenin 282 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet shprehimisht se “personeli mjekësor që është i detyruar ligjërisht të bëjë kallëzim duhet ta paraqesë atë brenda dyzet e tetë orëve dhe t’ia dërgojë prokurorit ose çdo oficeri të policisë gjyqësore të vendit ku ka kryer ndërhyrjen ose ka dhënë ndihmën dhe kur ka rrezik nga vonesa, oficerit të policisë gjyqësore më të afërt”. KSHH në përfundim e shikon të nevojshme të shtojë se shkelësit janë të barabartë para ligjit, pavarësisht nga vendi ku punojnë dhe funksioni që ata kryejnë.
#