E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë në Greqi, arrestohen në Dibër dy vëllezër

Bulqizë Afrim dhe Asqeri Kaza kërkoheshin nga policia që nga shtatori i vitit 2007

Dy vëllezër, të shpallur në kërkim prej tre vjetësh kanë rënë në prangat e policisë së Qarkut Dibër. Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites së djeshme, kur pas një veprimtarie operative të bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar me emrin “Ndëshkimi”. Si rezultat i këtij operacioni është mundësuar arrestimi i dy vëllezërve të shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2007. Dy vëllezërit Afrim dhe Asqeri Kaza përkatësisht 45 dhe 43 vjeç lindur në fshatin Cerjan të Rrethit të Dibrës akuzohen të kenë kryer veprën penale “vrasje me dashje” dhe “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76, 22 e 23 të Kodit Penal. Vëllezërit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me datë 21 shtator 2007, akuzohen se në qytetin e Korinthit, në Greqi, për motive të dobëta kanë vrarë me mjete të forta bashkatdhetarin e tyre, Ilir Kaja, dhe kanë plagosur rëndë vëllain e tij, Rasim Kaja, të dy banorë të Komunës Luzni në rrethin e Dibrës. Pasi kanë kryer veprën penale të dy vëllezërit i janë fshehur policisë, gjë që ka detyruar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Dibrës, që me shkresën nr.71 datë 9 qershor 2010 të vendosë për ta masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohen të kenë kryer veprën penale “vrasje me dashje” dhe “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, të kryera në bashkëpunim. Prangosja e vëllezërve Kaza në orët e paradites së djeshme u bë në afërsi të fshatit Cerjan, në kufi me Maqedoninë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›